Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se viti i parë i Qeverisë Kurti 2 është karakterizuar me pavendosmëri në udhëheqje dhe hezitim në politikat ekzekutive.
Ai për “KosovaPress” ka folur edhe për rolin e presidentes Vjosa Osmani, duke thënë se ka pritur udhëheqje ndryshe nga ajo.
“Me plotë hezitime dhe pavendosmëri në udhëheqjen dhe lidershipin që qeveria e ka në zbatimin e detyrave ekzekutive. Hezitime të mëdha në proceset e mëdha që vendi ka dhe kjo Qeveri duhet t’i shtyjë përpara. Natyrisht ka pasur më shumë përpjekje për të kamufluar dhe ankuar të kaluarën se sa përpjekje serioze për të zgjidhur probleme sistemore. Gjithçka që ka qenë pritje e madhe nuk është realizuar, ndoshta njerëzit janë në pritje, por faza e dëshpërimit do të fillojë shumë shpejtë dhe ai do të jetë shumë i madh”, thotë Haziri.
Lëvizja Vetëvendosje fitoi dukshëm zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit të kaluar.
Haziri thotë se ka pritur udhëheqje ndryshe edhe nga presidentja Vjosa Osmani.
Edhe
Haziri: Kurti do president që e përfaqëson atë e jo popullin
“Kam pritur ndryshe, kam pritur reagim dhe udhëheqje krejt ndryshe në presidencë, por këtu jemi. Pas një viti LDK ndihet në satisfaksion të plotë për rolin e vet pozitiv në zgjedhjen e presidentes dhe largimin e krizave të paralajmëruar politike. Pasi ne e kemi kuptuar prej fillimit se në këtë shumicë parlamentare prodhojnë kriza për t’i mbuluar problemet. E vetmja mënyrë për ta larguar vëmendjen e qytetarëve prej problemeve ditore është prodhimi i krizave. A ndihem i dëshpëruar? Nuk e di çka të them, por edhe më tutje besoj se ka hapësirë dhe kohë të ndryshojë. Presidentja duhet ta përfaqësojë interesin e të gjithë qytetarëve pa dallim moshe, pa bindje politike dhe etnie. Duhet me qenë e barabartë e drejtë në zbatimin e detyrave kushtetuese”, thotë ai.
Lidhur me procesin e reformave në LDK, Haziri thotë se pas zgjedhjeve lokale janë në një fazë të zhvillimit të ri.
“Jemi në një fazë të zhvillimit të ri në LDK pas zgjedhjeve lokale dhe jemi në grupin e parë të degëve dhe komunave që po merremi me zgjedhjet e jashtëzakonshme. Zgjedhjet që shkojnë në një strukturimi të ri duke eliminuar dobësi dhe problemet që janë gjetur në këto struktura”, përfundon ai.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Haziri thotë se ka qenë një vit i humbur pa arritur diçka konkrete. Ai thekson se institucionet kosovare pas zgjedhjeve në Serbi duhet të jenë të gatshme të përmbyllin marrëveshjen finale me Serbinë. Rrjedhimisht, sipas tij duhet të ndërtohet një konsensus i brendshëm politik për dialogun.
Edhe
Haziri: Kurti është dorëzuar politikisht
Ai thotë se kërkesa e Serbisë për themelimin e Asociacionit në bazë të marrëveshjes së origjinës, pa ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese, është e papranueshme dhe pazbatueshme.
“Kemi dy emisarë dhe një ndërmjetës ndërkombëtarë që po merren me problemin e Kosovës. Ne nuk jemi i vetmi problem në botë dhe duhet të vendosim në prioritet të parë dhe duhet të ndërtojmë konsensus të brendshëm përmes një dialogu shumë shpejtë dhe duhet të bëhemi gati për një verë të shpejtë e cila domosdoshmërish ka me nxjerr çështjen me prioritet ndërkombëtar dhe ne duhet të jemi të gatshëm ta përmbyllim”, shton Haziri./KSP