Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se me faktin që kryeministri Albin Kurti, ka thënë se nëse do opozita vendi mund të shkojë në zgjedhje, ai është dorëzuar politikisht, pavarësisht nëse e ofron ose jo dorëheqjen e tij.
Haziri të hënën në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV, teksa ka folur për opsionin e LDK-së për shkuarjen në zgjedhje, ka thënë se mënyra më e mirë është që Kurti të ofrojë dorëheqje.
“Është dorëzuar politikisht sepse ka thënë se nëse doni shkojmë në zgjedhje, në një farë forme është dorëzim para problemeve”, ka theksuar Haziri.
“Ne mendojmë që më e thjeshtë me e drejtë, më korrekte politikisht dhe më e sinqertë karshi qytetarit, është që kur vjen në një pikë që je i bindur që duhet të ketë zgjedhje, atëherë jep dorëheqje, është akti më moral që e ofron një lider i përgjithshëm politik”, ka shtuar ai.
Megjithëkëtë ai ka thënë se deklaratat e Kurtit për zgjedhje janë më shumë një kurth politik sesa një vullnet politik.
Edhe
Haziri: Qeveria Kurti ka ndërtuar marrëdhënie të kushtëzuara me të gjithë
“Vlerësoj që është më shumë një kurth politik sesa që vullnet politik. Kryeministri Kurti po punon në një mandat kalendarik të kësaj Qeverie, sepse pas disa javësh e muajsh, ju do ta dëgjoni edhe në fushatë, sepse ajo tashmë ka filluar, ai do të vazhdojë ta përmend që ‘jemi qeveria e vetme që e kemi kryer mandatin e rregullt pas shpallje së Pavarësisë, që kemi shkaktuar stabilitet politik”, është shprehur Haziri.
Ai ka thënë se Qeveria Kurti edhe nëse e mbyll mandatin, nuk e ka asnjë rezultat me të cilin do të mund të krenohej.
“Por kjo është kalendarike, nuk është Qeveri që ka sjell far suksesi ose far rezultati që duhet të krenohet, sepse janë katër vjet të humbura politikisht, në njërën anë për politikën e brendshme dhe në anën tjetër për politikën e jashtme, kemi degradim, është rrezikim, pasiguri juridike, pasiguri në fushën e sigurisë e shumë sektorë të tjerë që përgjegjës kryesor është zotëri Kurti”, ka theksuar Haziri.
Sipas tij Qeveria Kurti e ka shndërruar në prioritet dialogun me Serbinë dhe se nuk ka asnjë punë tjetër pos tij.
“Më shumë kjo qeveri është marrë më kornizën e dialogut, ka qenë kundërshtuesja e negociatave, e dialogut, kur ka hyrë nuk e ka pasur prioritet fare, dhe tani ju ka bërë prioritet i parë i dytë dhe i tretë, ka mbetur në të, edhe nuk ka asnjë punë tjetër”, është shprehur Haziri.
Haziri: Në Kosovë nuk qeveriset, administrohet
Nënkryetari i LDK-së ka thënë se në Kosovë nuk qeveriset por administrohet. Sipas tij ministrat nuk marrin vendime vet dhe e presin “një njëri deri të kthehet”.
“Sepse nëse duhet të presin 15-16 sektorë të mëdhenj që janë pjesë e Qeverisë, dhe ku ministrat kanë autoritet kushtetues ta ushtrojnë detyrën e vet, ata presin, nuk mund të vendosin asgjë, është sistem i centralizuar, sepse nuk qeveriset administrohet, duhet të presin një njeri deri të kthehet”, ka theksuar Haziri.
Edhe
Haziri: Bashkëpunimi institucional është rruga e vetme për t’i dhënë fund krizave politike
Ai e ka akuzuar Kurtin për udhëtime të gjata jashtë vendit, të cilat sipas tij, i bëjnë vetëm liderët e vendeve autokrate e diktatoriale.
“Është kryeministri i cili do të mbahet në mend që ka qenë 19 ditë në Amerikë pa agjendë, 14 në Gerqi pa agjendë edhe 11 ditë ka qëndruar në Britaninë e Madhe, nuk ke kryeministër jashtë vendeve teokrate, autokrate dhe të diktaturave që kur dalin liderët e tyre rrinë nga dy javë e një muaj, nuk lidhet me demokracitë parlamentare, kryeministrat ose udhëheqësit të shkojnë dhe të kalojnë javë të tëra ose një muaj ditë udhëtime jashtë vendit”, ka theksuar Haziri.