Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhiu s’sheh përpjekje e as vullnet për reforma nga Këshilli Prokurorial

Ministrja e Drejtesise, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk sheh përpjekje dhe as vullnet nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për reformim, ndërsa ka vlerësuar punën e Këshillit Gjyqësor.

Në disa pyetje të cilave i është përgjigjur në Instagram, Haxhiu është shprehur skeptike se mund të ketë reforma pa hyrë në fuqi Ligji për KPK-në.

“Nuk shoh përpjekje dhe as vullnet nga ana e KPK-së për reformim. Pra, nuk kam besim që mund të bëhen reformat aty pa hyrë në fuqi Ligji për KPK-në. Ndërsa sa i përket KGJK-së, e vlerësoj punën dhe angazhimin e tyre tani për tani”, ka shkruar ministrja e Drejtësisë.

KPK-ja ka qenë vazhdimisht shënjestër e sulmeve nga liderët aktualë shtetërorë.

Së fundmi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kritikoi KPK-në pasi sipas tij ndonëse kanë kaluar tre muaj nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ende nuk janë ngritur aktakuza dhe nuk ka informacione për publikun. Edhe në të kaluarën, përfaqësuesit e Qeverisë kanë kritikuar KPK-në për mosefikasitet.