Arbëri

Haxhiu pas fitores së PDK-së në Skenderaj: Me këtë rezultat nuk mund të mburret Drenica

Triumfin e partisë së tij në zgjedhjet lokale në Komunën e Skenderajt, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, po e sheh si “fitore të lakmisë më shumë se lavdisë”.

Haxhiu, i cili ka dalë kundër partisë së tij duke e përkrahur kandidatin e pavarur Bekim Jashari, ka thënë se fitorja e PDK-së në këtë komunë është rezultat me të cilin “nuk mund të mburret Drenica”.

“Bekim Hamëz Jashari, për Drenicën, për mua dhe familjen time mbetesh kryetari më i respektuar e emblematik i Skenderajt. Unë, përkrahësit dhe votuesit tuaj jemi me kokën lartë, krenarë që jetojmë në këtë epokë ku na u dha mundësia ta votojmë Bekim Hamëz Jasharin për kryetar komune. Kokën lartë si çdo herë me Jasharajt dhe me Bekim Jasharin për punën që ka bërë në qeverisje të Skenderajt, me transparencë, pa korrupsion, pa nepotizëm. Të pikëlluar e me kokën ulur duhet të jenë ata që ia humbën Skënderajt mundësinë e artë me Bekim Jasharin në realizimin e projekteve për zhvillim dhe ndërtim të Drenicës. Jasharajt e ndërruan historinë. Ata janë vet historia moderne. Ata na e mundësuan edhe 17 tetorin 2021. Pa Jasharajt nuk do të kishte as UÇK, as Liri, as Pavarësi as demokraci as parti. Bekim, sa herë të takoj ty, bacin Rifat, Besartën, e vij në vizitë te varret e 56 anëtareve të familjes tuaj Jashari, e di që nuk do të me vrasë ndërgjegjja. Ju nuk jeni kalimtarë, Ju jeni themeli i pavarësisë e nderi i shqiptarisë. Në Skënderaj fitoi lakmia më shumë se lavdia! Me këtë rezultat nuk mund të mburret Drenica”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Në fund të postimit të tij, ai ka komentuar fitoret e PDK-së në komuna të tjera. Ka thënë se në Mitrovicë, Ferizaj e Han të Elezit fitoret ishin të merituara dhe “fitore të vlerave e programeve”.

Në Skenderaj, të dielën kandidati i PDK-së Fadil Nura mori rreth 58 për qind të votave, pas numërimit të mbi 98 për qind të tyre. Bekim Jashari mori 40 për qind. Jashari ka akuzuar PDK-në për dallavere në ditën e zgjedhjeve, ndërsa ka thënë se ka bërë edhe ankesa zyrtare.

Në zgjedhjet e fundit, Jashari pati marrë përkrahjen e të gjitha partive shqiptare. Ai udhëhoqi komunën për katër vjet.