Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë, që sërish ka vendosur të mos vaksinojë qytetarët gjatë vikendeve.
Haxhiu ka thënë se me vetëm 40 për qind të qytetarëve të vaksinuar me dy doza, MSH-ja ka marrë hap të ndërpresë vaksinimin në vikende dhe si pasojë po ka rënie të vaksinuarve gjatë ditëve të javës.
“Papërgjegjësia, paaftësia dhe neglizhenca e MSH në procesin e vaksinimit rezultoi me humbjen e jetëve të shumë qytetarëve. Me vetëm 40% të qytetarëve të vaksinuar me dy dozat e vaksinës anti-COVID-19 Ministria e Shëndetësisë e ndërpret sërish vaksinimin gjatë vikendeve, duke e lënë anash edhe fushatën për vaksinim dhe për pasojë kemi rënie të numrit të të vaksinuarve në baza ditore e javore. Ministrisë së Shëndetësisë iu deshën 8 muaj kohë për ta filluar procesin e vaksinimit me ekipet mobile në sheshet e Kosovës. Dikush duhet të japë llogari për katastrofën shëndetësore të shkaktuar gjatë muajve të kaluar, për jetët e humbura nga COVID-19, pa llogaritur këtu pasojat shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuara nga veprimet e papërgjegjshme, politike e populliste të kësaj qeverie. Dikush duhet të jap përgjegjësi për 133 mijë doza të vaksinave të cilave u kaloi afati i përdorimit”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ai, duke u bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins, ka thënë se në Kosovë për tetë muaj janë vaksinuar 40 për qind e qytetarëve me dy doza të vaksinës antiCOVID.
“Ekspertët e Shëndetësisë paralajmërojnë valë të re të COVID-19 dhe kjo shifër e vaksinimit është e ulët për të mbrojtur popullatën nga valët e reja të COVID-19. Me këtë nivel të vaksinimit jemi larg imunizimit të popullatës dhe Ministrisë së Shëndetësi nuk po i bëhet vonë pasi është pa vizion e strategji konkrete se si ta përmbush vaksinimin e tërë popullatës”, ka shkruar Haxhiu.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar të shtunën se plani pesëjavor për vaksinim gjatë vikendeve ka përfunduar dhe se qendrat e vaksinimit tash nuk punojnë gjatë vikendeve.
-
Haxhiu: Vaksinimi i dështuar, s’ka pasur masa stimuluese për të vaksinuarit
-
Haxhiu: MSh-ja po manipulon me numrin e të vaksinuarve
-
Mbi 800 mijë doza të vaksinës anti-COVID ende në stok në Kosovë
-
Vetëm 50.5 për qind e qytetarëve janë vaksinuar me dozën e parë
-
Opozita hedh dyshime se një pjesë e vaksinave anti-COVID janë pa afat