Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhiu: Komisioni i Venecias i jep dritën e gjelbër ndryshimeve ligjore në sistemin prokurorial

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ka marrë dritën e gjelbër nga Komisioni i Venecias për reformimin e sistemit prokurorial pas pjesëmarrjes në mbledhjen plenare të këtij komisioni.

Haxhiu në Facebook ka shkruar se në përgjigjen e kërkesës së Ministrisë që drejton Komisioni i Venecias ka konfirmuar nevojën për reformim të Këshillit Prokurorial.

“Sapo dolëm nga takimi në kuadër të Mbledhjes Plenare të Komisionit të Venecias ku u diskutua nisma e Ministrisë së Drejtësisë për të reformuar Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ndryshimet në këtë projektligj janë rekomandime që rrjedhin nga Strategjia për Sundimin e Ligjit 2021–2026, e cila tashmë ka filluar të zbatohet. Në përgjigje të kërkesës tonë, Komisioni i Venecias konfirmoi nevojën për reformim të Këshillit Prokurorial. Komisioni i Venecias i jep dritë të gjelbër ndryshimeve ligjore në sistemin prokurorial dhe ofron rekomandime specifike për plotësimin e mëtejshëm të projekt-ligjit, për të siguruar përfaqësim të balancuar”, ka shkruar ministrja Haxhiu.

Haxhiu ka shkruar se grupi punues do ta vijojë punën në projekt-ligjin për KPK-në në përputhje me rekomandimet.

“I mirëpresim këto rekomandime. Grupi Punues do të vijojë punën në projekt-ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës në përputhje me rekomandimet në fjalë. Reforma në sistemin prokurorial njëjtë si ajo në drejtësi do të ndodhë dhe kjo, në përputhje me standardet vendore kushtetuese, rekomandimet e Komisionit të Venecias si dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare”, ka shkruar ajo.

Edhe Haxhiu për opinionin e Venecias: Rekomandoi që KPK-ja t’i ketë 7 anëtarë Arbëri Haxhiu për opinionin e Venecias: Rekomandoi që KPK-ja t’i ketë 7 anëtarë

Ministria e Drejtësisë po e planifikon ndryshimin e dy ligjeve bazike, atë për Kryeprokuror të Shtetit e Ligjin për Këshillin Prokurorial. Kësisoj, planifikohet që të rregullohet puna në KPK. Kjo instancë i ka 13 anëtarë, tre prej të cilëve zgjidhen nga Kuvendi. E Qeveria e drejtuar nga VV-ja planifikon që KPK-ja t’i ketë shtatë anëtarë, shumica e të cilëve do të zgjidheshin nga Kuvendi. Nëse këto ndryshime ligjore kalojnë, atëherë anëtarëve të KPK-së mund t’u shkëputet mandati në gjysmë.