Arbëri

Haxhiu kërkon konsensus me opozitën për vettingun

Konsensus me opozitën për procesin e vetingut në drejtësi, ka kërkuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të mërkurën. Në ditën kur mbushi një vit si ministre, Haxhiu ka lavdëruar punën e saj teksa ka thënë se Qeveria është në pritje të komenteve të Komisionit të Venecias për të vazhduar me vettingun.

Në fjalimin e saj, Haxhiu ka thënë se për një vit “kemi dëshmuar se mund të kemi qeverisje pa korrupsion e pa skandale, se një qeveri në Kosovë mund të punojë për të mirën e përgjithshme pa keqpërdorur buxhetin e shtetit”.

Ka përmendur strategjinë për sundim të ligjit si punë të kryer, ndërsa ka shtuar se prioritet mbetet reforma në Këshillin Prokurorial. Haxhiu ka thënë se prioritet në vitin e parë ka qenë edhe adresimi i krimeve të luftës së kryera në Kosovë, ndërsa është lavdëruar edhe për themelimin e Gjykatës Komerciale.

Sa i përket sfidave, vettingu, sipas Haxhiut, “është kërkesë shoqërore dhe i vetmi çelës që e kemi në duar për ta bërë Kosovën shtet të së drejtës”.

Ajo ka thënë se ka pasur sfida në konsensus politik për këtë çështje.

“Më duhet të informoj që dhe e kemi bërë konceptdokumentin, edhe amandamentet, dhe jemi duke e pritur komentet e Komisionit të Venecias”, ka thënë ndër tjerash Haxhiu.

Ajo ka thënë se projektodi civil, që dështoi të merrte përkrahjen e deputetëve javën e shkuar, do të ridërgohet në Kuvend.