Arbëri

Haxhiu e Bajrami përplasen për afatin e seancës konstituive

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka shprehur bindjen se sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, konstituimi i Kuvendit duhet të bëhet brenda 30 ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve zgjedhore.

“Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, vetëm koalicioni apo partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhje, mund ta propozojë kandidatin për Kryetar Kuvendi. Me gjithë tentimet, fatkeqësisht ende nuk ka ndodhur konstituimi i Kuvendit, pavarësisht faktit që Kushtetuta e kërkon që konstituimi të ndodhë brenda 30 ditësh”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, koalicioni PAN për shkak të mungesës së numrave, refuzoi pjesëmarrjen edhe në seancën e sotme.

“Është e qartë që ky koalicion nuk po i kryen obligimet kushtetuese dhe do të ishte e udhës që Gjykata Kushtetuese ta shqyrtonte marrjen e mandateve të këtyre deputeteve të papërgjegjshëm nga radhët e koalicionit PAN. Kuvendi nuk mund të mbahet peng për shkak të Kadri Veselit. Deputetët e koalicionit PAN duhet të zëvendësohen me të tjerë deputete që janë në radhë”, ka thënë ajo.

Ministri në detyrë, Arsim Bajrami, i cili është edhe zyrtar i PDK-së por që nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet i kësaj legjislature, ka thënë se për seancën konstituive nuk ka afate.

Sipas tij, Kuvendi konsiderohet i konstituuar pasi të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Duke interpretuar nenin e Kushtetutës ku thuhet se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh pas certifikimit të rezultateve, Bajrami ka thënë se Kuvendi konsiderohet i konstituuar pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve.