Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haskuka: Të rishqyrtohet vendimi që lejon vrasjen e ariut të murrmë

Dy agjenci qeveritare kanë shprehur qëndrime diametralisht të kundërta lidhur me zgjidhjen e çështjes së ariut të murrmë, që pati sulmuar bagëtinë në fshatin Pouskë të Prizrenit. 

Teksa Drejtoria Qendrore e Inspektoratit për Pylltari dhe Gjueti (DQIPGJ) i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës ka nxjerrë vendim se ariu shpallet kafshë, përkohësisht dëmtuese dhe lejohet vrasja e tij, në anën tjetër ka reaguar Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, që kërkon të zbatohet legjislacioni për llojet e mbrojtura shtazore lidhur me rastin e ariut të murrmë, shkruan sot Koha Ditore.

Madje kjo e fundit ka paralajmëruar edhe ngritjen e padive ndaj të gjithë atyre që veprojnë në kundërshtim me legjislacionin për llojet e mbrojtura shtazore. Ndërkohë, autoritetet komunale të Prizrenit kanë pohuar se trajtimi i kësaj çështjeje nuk duhet të bëhet me vrasjen e ariut. 

Kanë kërkuar që DQIPGJ-ja të rishqyrtojë vendimin e tij. “Trajtimi i çështjes së ariut duhet të bëhet në formë tjetër dhe jo me anë të vrasjes së tij. Agjencia Pyjore e Kosovës do të ishte mirë që ta rishqyrtonte vendimin e saj dhe të jetë në gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje tjetër, pasi që ky vendim është në kundërshtim edhe me rekomandimet dhe qëndrimet e komisionit profesional të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka. 

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Artikuj të ngjashëm