Kosova ka prezantuar projektet në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor, të mbajtur në Londër.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, para një numri të madh të investitorëve nga e gjithë bota, ka përmendur një varg masash të ndërmarra nga qeveria për të bërë më të favorshëm ambientin e të bërit biznes.
“Kosova ka popullatën më të re në Evropë. 65 për qind e saj janë nën moshën 35-vjeçare, fakt ky që e bën tregun e punës tejet atraktiv. Të rinjtë tanë kanë përvetësuar në masë të madhe teknologjinë informative, duke u bërë një nga top vendet në botë në përdorimin e saj. Shumë prej tyre janë folës të disa gjuhëve të huaja. Përpjekjet e Kosovës për ta finalizuar infrastrukturën e saj bazike, autostradën, hekurudhën, furnizimin me ujë, atë me rrymë, janë parakushte për investitorë, në mënyrë që ata të jenë nga rajoni ynë ose më gjerë. Për të bashkëpunuar me vendet tjera është e nevojshme një klimë e mirë investive në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.
Në këtë takim kanë marrë pjesë të gjithë kryeministrat e 6 vendeve të Ballkanit.
Mirëpo, ky takim ka rifreskuar kujtesën e të pranishmëve në sallë, të cilët kanë vërejtur raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
Edhe
Haradinaj në Londër prezanton projekte zhvillimore të Kosovës
Përderisa komunikimi i kryeministrit kosovar me të gjithë kryeministrat e sidomos me kryeministrin malazias ishte i ngrohtë, me kryeministren serbe, Ana Brnabiq, nuk kishte pothuajse fare komunikim.
Presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim u zotua për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BERZH-it, duke shprehur përkrahjen e tij në mbështetjen e projekteve regjionale të këtyre vendeve dhe në projektet për infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe të energjisë.
“Po bëjmë përparim në Autostradën e Paqes që lidh Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë. Po punojmë edhe për rehabilitimin e rrjetit hekurudhor të Kosovës për rrugën që kalon nëpër Kosovë dhe që lidhet me kufirin maqedonas. Vetëm dhjetë ditë më parë, së bashku me KE-në dhe Kosovën, nënshkruam Marrëveshjen e Grantit në vlerë 38.5 milionë euro për këtë projekt”, ka thënë Suma Chakrabarti, president i BERZH-it.
Chakrabarti ka thënë se tani çdo gjë është gati që punimet të fillojnë më vonë këtë vit.
“Do të doja ta shfrytëzoja samitin e sotëm për të promovuar atë që unë e quaj ‘lidhje lehtësuese’ brenda Ballkanit Perëndimor. Një element kyç i kësaj është krijimi i një hapësire të vetme investimi. Ne në BERZH kemi punuar për hapat praktikë për mundësimin e lidhjes lehtësuese me njëri-tjetrin për shumë vite. Ekonomistët tanë presin që rritja ekonomike të përshpejtohet akoma më shumë në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Investimi ynë kumulativ në rajon qëndron në më shumë se 10 miliardë euro. Kjo shifër po rritet nga një miliard euro çdo vit që kalon”, ka thënë Chakrabarti.
Edhe
Haradinaj thotë se BERZH-i konfirmoi mbështetjen për projekte që zhvillojnë ekonominë në Kosovë
Ky samit është përshëndetur edhe nga kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov, që njëherësh kryeson presidencën e BE-së dhe Matt Hancock, përfaqësues i Qeverisë Britanike.
Në këtë samit Kosova është prezantuar me 39 projekte në vlerë totale prej 600 milionë eurove.