Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për mbështetjen e Universitetit të Prishtinës dhe arsimit të lartë në përgjithësi.
Ai këtë e ka thënë në një takim me një delegacion të profesorëve dhe Dekanëve nga Universiteti i Prishtinës, “Hasan Prishtina”, të kryesuar nga Rektori, Marjan Dema.
“Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj, shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e Universitetit të Prishtinës dhe arsimit të lartë në përgjithësi, duke vlerësuar se ngritja e cilësisë në arsim është e një rëndësisë të veçantë për vendin, marrë parasysh trendët dhe zhvillimet e hovshme globale”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
“Universiteti i Prishtinës është aset kombëtar dhe pikë orientuese e zhvillimit të shoqërisë tonë, të cilin Qeveria e vendit do ta mbështesë në vazhdimësi, me qëllim të avancimit profesional, konform trendëve globale”, ka thënë Haradinaj.
Në këtë takim, Kryeministri Haradinaj u informua për sfidat e Universitetit të Prishtinës, me theks të veçantë mungesën e laboratorëve dhe me mënyrën e rifunksionalizimin efektiv të Instituteve në Fakultetet përkatëse, si dhe në mbrojtjen e profesioneve të veçanta dhe rigjenerimin e kapaciteteve kadrovike, sidomos në Inxhinierin Elektrike dhe në fushën e matematikës.
“Arsimi si një nga prioritet kryesore të Qeverisë do ta ketë mbështetjen e vazhdueshme edhe në të ardhmen. I gëzohemi arritjeve dhe sukseseve të studentëve tanë të cilët duhet të jenë konkurrentë për tregun global”, ka thënë më tej Haradinaj, duke vlerësuar se është e rëndësisë së veçantë që të rritet cilësia e mësimdhënies dhe investimi në infrastrukturën e domosdoshme për zhvillim normal të punës në arsimin e lartë.
Në këtë takim, sipas njoftimit, palët u darkoduan që të bëhet një plan për rishqyrtimin e normativave ligjore të Arsimit të lartë si dhe shpenzimet e nevojshme.