Arbëri

Haradinaj thotë se gazetarët duhet të mbahen përgjegjës nëse janë publikuar dosjet e ZPS-së

Ish-sekretari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se gazetarët duhet të marrin përgjegjësinë nëse janë publikuar dosjet e ZPS-së.

Haradinaj duke iu përgjigjur në pyetje të ZPS-së në seancën që po mbahet sot në Hagë, ka thënë se përgjegjësia e tij është vetëm se ka marrë dosjet nga zyra ku kanë ardhur dhe i ka sjellë në sallën ku është mbajtur konferenca për media.

“E këqyra listën e njerëzve Zekirija Shabani është këtu. Më vjen keq kur pash Halil Berishën, pasi ky është dashur të vijë këtu. Ky i ka bërë këto. Tash po bindna se ky e ka shti me marr komplet dosjen. Vetëm gazetari i tij e ka bërë këtë, nuk ka ndodhur në tri konferencat që me marr dikush komplet dosjet. E ka marrë me direktivë të tij dhe ju ka thirrur juve me provoku. Po them të drejtën më hetues ka qenë ky atë natë se gjithë inspektorët që ju i keni sjellë. Ka bërë punë të mirë për ju e të njëjtën anë mundohet të shtiret ndryshe. Ky e di çfarë ka bërë këtu. Është një prej gazetarëve që z. gjykatës unë thash se na kanë provokuar”, tha Haradinaj.

Ai ka thënë se ata që i kanë publikuar dokumentet duhet marrë përgjegjësi.

“Vetëm gazetari i tij ka kërkuar dokumentet komplet. Të tjerët kanë marrë ndonjë fletë apo vetëm kanë shleftuar. Ky e ka kryer porosinë e juaj. E keni porositur me ardhë me i marrë dhe ju ka lajmëruar pas 20 minutave. E kanë parë që kanë bërë gabim e janë munduar që me na kthyer vuajtjet e tyre tek ne. Detyra jonë, ka qenë 16 metra brenda lokalit ku i kemi mbajtur gjërat. Prej një dhome në tjetër i kemi bartur. Kjo është përgjegjësia jem që e pranoj se e kam bërë. Pavarësisht se kush i ka mbajtur, unë kam rreh gjoks e kam mbajtur konferencën. Këtë e kam bërë unë, por kaq përfundon veprimi jem. Por nuk e kam shti askënd me i publiku”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtura se ato që ka parë në materiale i ka ditur shumë kohë më parë dhe nuk ishte diçka e re për të.

Ndërkohë në pyetjen e prokurorisë se nëse ka parë shenjën top-sekret në materiale, ai ka thënë se ka materiale të tilla sheh në internet që janë top-sekret por publikohen me kalimin e kohës.

“E lexoj përditë në revista që qesin topsekrete të mëhershme. Mua nuk më është sqaruar se është top sekret. Jo mua por askujt. Si mundet me kon diçka topsekret e me ardhur publikisht në zyrat tona. Të lutem është turp të dëgjojë ndokush këtë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se e ka ditur që materiali nuk bën të shumohet e të shpërndahet në publik. Dhe se nuk e ka bërë asnjë nga këto.

“Po të doja do t’i bëja vet publike ato materiale. Këtë u kam thënë edhe gazetarëve. Nuk e kam bërë se nuk jam profesionist, ‘skam qenë gazetar e as nuk ishte e jemja kjo. E jemja ishte të mos na montoj dikush diçka. Shumë më keq do të na shihnit sot sikur t’i mbaja dosjet 3-4 javë e të mos dilja në ato konferenca. Se kemi bërë. Ka mundur asnjë flet të mos e marrë asnjë gazetar. Ka mundur edhe të mos vijë në konferencë, si ka bërë Halili e Zekirija, pas konferencës së parë”, ka thënë Haradinaj.