Në konferencën e dytë për përgatitje për gjykim në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, që ka nisur në orën 9:30, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka deklaruar se materialet në paketa kanë qenë të mbrojtura, konfidenciale.
Mirëpo, mbrojtja e të akuzuarve ka deklaruar se të akuzuarit e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre se nuk e kanë ditur se natyra e dokumenteve është konfidenciale. Madje, ata thonë se as nuk e kanë ditur nëse janë dokumentet autentike apo falso, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, trupi gjykues ka pyetur mbrojtjen nëse materiali ishte tërësisht apo pjesërisht për publikun, ose për cilat pjesë materiali nuk ishte konfidencial, apo se ZPS nuk vërtetoi se materiali kishte status të tillë.
Avokati Jonathan Elystan Rees, që mbron Hysni Gucatin, deklaroi se informacioni fillimisht ka qenë pjesërisht ose tërësisht i njohur për publikun.
“ZPS nuk ka vërtetuar për mendimin tonë statusin e mbrojtur konfidencial ose jo publik të dokumenteve, këtu përfshihet edhe pretendimi jonë se ZPS nuk ka vërtetuar se ky material kishte status të mbrojtur sipas sistemit të zbatueshëm të statusit konfidencial”, ka thënë avokati Rees.
Ndërkaq, avokati i Haradinajt, Toby Cadman tha se në të gjitha fazat kanë mbështetur qëndrimet e mbrojtjes së Gucatit, duke qenë se nuk kanë pasur mundësi të analizojnë atë material dhe nuk janë në gjendje të japin një njoftim më të hollësishëm lidhur me këtë.
“Gjatë të gjitha fazave kemi thënë edhe në procesverbal se ZPS kanë detyrën e provës për të vërtetuar konfidencialitetin ose natyrën jo publike të materialit. Ky është qëndrimi ynë”, ka thënë avokati Cadman.
Nga ZPS u tha se të gjitha që përmenden brenda paketave të materialeve janë material i mbrojtur.
“Çdo gjë që tha mbrojtja dje e vërtetoi se e kanë të qartë se materialet që janë dorëzuar janë konfidenciale. ZPS do të paraqes prova gjatë gjykimit që do të vërtetojnë se materialet e dorëzuara ishin të klasifikuara si konfidenciale. Gjykatësit do të dëgjojnë dëshmi lidhur me pjesë të dokumenteve që ju dërguan mediave dhe mendoj që mbrojtja e Gucatit kur thotë për këtë kundërshtim e ka parasysh mënyrën se si kanë qenë të renditura dokumentet”, është thënë nga ZPS.
Tutje, avokati i Gucatit ka deklaruar se të akuzuarit e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre se nuk e kanë ditur se natyra e dokumenteve është konfidenciale dhe që nuk e kanë ditur nëse janë dokumentet autentike apo falso.
Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. /BetimipërDrejtësi