Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme për tranzicion dhe synon që t’i bashkohet NATO-s.
Këto deklarata Haradinaj i tha në ceremoninë e ndërrimit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë (NALT), nga gjenerali Ralf Hoffman te gjenerali Uwe a.Becker.
“Kosova është e zotuar që të jetë partnere në politikë, ekonomi dhe në siguri. Për këtë ju konfirmoj të gjithë juve se jemi të gatshëm për tranzicionin e forcës sonë, jemi të gatshëm të marrim pjesë në partneritetin për paqe. Por, jo vetëm në partneritetin për paqe. Ne synojmë që t’i bashkohemi NATO-s dhe me këtë e konfirmojë gjithashtu se misioni i NATO-s dhe i KFOR-it respektohet nga njerëzit e Kosovës dhe për ne do të jetë përherë faktor dhe garantues i paqes”, tha Haradinaj.
Haradinaj po ashtu tha se nga viti 1999 deri më sot shumë vajza dhe djem të shteteve të respektuara kanë shërbyer në Kosovë për ta ndalur tragjedinë, por edhe për të mbajtur paqen.
“Sot jetojmë në paqe në Kosovë. Kosova është shtet paqësor falë shërbimit tuaj dhe ju falënderoj të gjithë juve që keni shërbyer në shtetin tonë gjatë gjithë kohës dhe juve që po shërbeni sot këtu. Ne kemi mësuar se sa e rëndësishme është të mbahet paqja dhe jemi zotuar që të qëndrojmë paqësor dhe të jetojmë në paqe me të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, serbë, ashkalinjë, romë, egjiptian, boshnjak, goranë, por edhe me fqinjët tanë. Ky është zotimi ynë dhe ju falënderoj për gjithë atë që keni bërë për paqen tonë”, tha ai.
Më tej, Haradinaj tha se është koha që nga një absorbuese e sigurisë, Kosova të bëhet kontribuuese dhe faktor stabiliteti për siguri.
“FSK sot është shumetnike, shërbejnë serbë e kosovarë djem dhe vajza të reja. FSK është forcë e të gjithëve që jetojnë këtu. Dhe jo vetëm kaq. Nesër Forca e Armatosur do të jetë e gatshme që t’u shërbejë gjithë qytetarëve të shtetit tonë dhe me këtë konfirmojmë pjekurinë dhe gatishmërinë tonë që të bëhemi partner. Për mua sot këtu është dita që t’ju falënderoj gjithë juve për punën që keni bërë për sigurinë, stabilitetin dhe qetësinë këtu dhe ta dini që jemi të gatshëm për partneritet”, tha Haradinaj.