Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përsëritur se taksa ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake hiqet në ditën kur Serbia e njeh Kosovën si shtet.
Gjatë një vizite që i ka bërë komunës së Vushtrrisë Haradinaj ka përmendur edhe punën e vizave për të cilat tha se nuk është larg dita kur do të udhëtojnë në Evropa pa viza, ndërkohë që ka thënë se kjo çështje nuk ka lidhje me taksën.
“Vizat nuk i kemi larg mi marrë. Jemi në punë, nuk është e lidhur me taksën. Kërkesa për pezullim të taksës ekziston. Më shumë është si mënyrë për disiplinime. Kur të na njeh Serbia hiqet taksa", tha Haradinaj.
Haradinaj ka komentuar edhe vizitën e presidentit të Francës Emanuel Macron në Serbi, ku tha se raportet Kosovë-Francë janë po ato që kanë qenë, në nivel të mirë bashkëpunimi.
Gjatë vizitës në Vushtrri, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim me kryetarin e kësaj komune, Xhafer Tahiri. Haradinaj e përgëzoi kryetarin e Vushtrrisë për punën që po bën dhe i premtoi ndihmë nga Qeveria.
Edhe
Haradinaj: Heqja e taksës bëhet vetëm kur Serbia ta njohë Kosovën
“Më ka bërë përshtypje puna e kryetarit Xhafer Tahiri, është i fokusuar në tema, vrapon pas punëve. Nivel i qendror ka mundur të bëjë më shumë për këtë qytet. Vushtrria është pa stacion të autobusëve. Zgjerimi i rrugës dhe unaza e qytetit janë projektet që biseduam me kryetarin”, tha ai.
Haradinaj gjithashtu gjatë vizitës ka siguruar bujqit e Komunës së Vushtrrisë se Qeveria që ai drejton do të punojë për heqjen e taksës së akcizës për derivate, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të favorshme në sektorin e bujqësisë.
Ai tha se zgjerimi i rrugëve, unaza e qytetit, kyçja individuale për ujë të pijes, janë vetëm disa nga projektet që do të implementohen në këtë komunë.
“Niveli qendror ka mundur të bëjë më shumë për Vushtrrinë dhe përkundër faktit që i kemi ndërmarr disa veprime, duke iu përgjigjur interesave të qytetarëve të Vushtrrisë. I kemi edhe disa ngecje, i diskutuam ato ngecje siç është p.sh. kyçja individuale për ujë të pijes. Janë po ashtu disa projekte të tjera për të cilat do të bëjmë përpjekje që të zëmë kohën e mbetur të këtij viti. I biseduam këto tema të rëndësisë së veçantë, zgjerimin e rrugëve dhe intensifikimin e punëve, biseduam unazën, po ashtu biseduam edhe disa prona tjera që janë me interes për qytetarët e Vushtrrisë”, tha Haradinaj.
Edhe
Taksa, ‘karta’ e Haradinajt për dialogun
Ndërsa Tahiri theksoi se nga ky takim morën mbështetje nga kryeministri Haradinaj.
“Na keni nderuar me ardhjen tuaj sot këtu. Kemi një bashkëpunim të mrekullueshëm për punët e mira që po bëjmë. Morëm mbështetje nga kryeministri për zgjerimin e rrugës Vushtrri-Mitrovicë, e cila do ta lidhë gjithë veriun. Për projektet e tjera si unaza e qytetit morëm mbështetje. Qeveria po vazhdon me projektin për parkun”, tha Tahiri.