Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj takon komandantin e ri të KFOR-it, vlerësojnë se situata në Kosovë është e qetë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim njohës komandantin e ri të KFOR-it, Gjeneral Major Michele Risi.

Në këtë takim Haradinaj e uroi komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Risi, për marrjen e detyrës së re, duke falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që KFOR- i ka dhënë dhe vazhdon t'i japë popullit të Kosovës në ofrimin e sigurisë, paqes dhe stabilitetit.

“Po ashtu, kryeministri në detyrë Haradinaj u shpreh mirënjohës për mbështetjen që KFOR-i ka dhënë për ngritjen dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në këtë takim, kryeministri në detyrë Haradinaj e ka njoftuar komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Risi, për proceset e përgjithshme në vend, me theks të veçantë në fushën e sigurisë, duke vlerësuar se situata në vend është e qetë dhe stabile”, thuhet në njoftimin e dërguar mediave.

Komandanti i ri i KFOR-it, Gjeneral Major Michele Risi, e falënderoi Haradinajn për pritje, duke premtuar angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vend.