Arbëri

Haradinaj: Qeveria të ndajë fonde për familjet e prekura nga vërshimet

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se qeveria në detyrë e Kosovës duhet të vendosë për ndarjen e fondit emergjent për të mbështetur menjëherë të gjitha familjet e prekura nga përmbytjet.

Haradinaj ishte në vizitë sot në Malishevë, një nga komunat që u prek më së rëndi nga vërshimet. Ai ka shtuar se dëmet infrastrukturore mund të jenë si pasojë e punëve të shpejta dhe jo cilësore. 

“Vizitova sot komunën e Malishevës, përkatësisht një ndër zonat e prekura nga vërshimet. Në këtë katastrofë natyrore, të gjithë së bashku duhet të qëndrojmë pranë familjeve të prekura dhe të bashkëndjejmë me vuajtjet e tyre nga këto përmbytje. Ftoj qeverinë në detyrë, për mobilizim të menjëhershëm të të gjitha institucioneve përkatëse me qëllim të ndihmës dhe përkrahjes për qytetarët, si dhe të vendos për ndarjen e fondit emergjent për mbështetjen e menjëhershme të të gjitha familjeve të prekura nga këto përmbytje. Dëmet infrastrukturore nga këto përmbytje mund të jenë edhe si pasojë e punëve të shpejta dhe jo cilësore. Të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi nëse nuk i kanë përmbushur kontratat sa i përket cilësisë së punës. Ngritja e standardeve të larta infrastrukturore si dhe kapaciteteve për reagim dhe mbrojtje nga katastrofat natyrore duhet të jetë prioritet i shtetit tonë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.