Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj: Nuk ndalemi së demaskuari këtë qeveri të dëmshme

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se situata në Kosovë është shumë e komplikuar si pasojë e rritjes së çmimeve.

Haradinaj ka thënë se janë bërë 6 muaj që po bëjnë presion te Qeveria aktuale që ta miratojë Ligjin e Pagave dhe rritjen e pagës minimale.

Për kërë arsye, siç ka thënë ai, kanë nisur procedurat si AAK që këtë çështje ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

“Kemi qenë të shqetësuar gjatë gjithë këtyre muajve të veprimeve të kësaj qeverie antipopullore. Ka më shumë se 6 muaj që bëjmë presion te kjo qeveri ta miratojë Ligjin e Pagave dhe rritjen e pagës minimale, e s’ka asnjë veprim. Përkundrazi ajo e rritë çmimin e energjisë për qytetarët shqiptarë, ndërkaq për serbët në veriun e vendit, vendos me ua pagu rrymën nga buxheti i shtetit. Sot, e kemi nisë procedurën që këtë diskriminim ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai ka shtuar situata në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e rëndë, edhe në aspektin e ekzistencës e edhe të sigurisë.

“Nuk ushqehet populli as me ideologji e as me ëndrra. Nuk mashtrohen njerëzit me fjalë të bukura. Nuk mbahet shpija me llafe. Qeveria po kujton se mund të tallet me qytetarët e vendit, duke i lajthitur me do farë “epopeshë të arsimit”. Kanë vdekur sistemet kur popujt janë ushqyer me ideologji dhe me artin e kulturën që e kanë prodhuar ato, e të cilat kryeministri Kurti po i përdorë me aq pafytyrësi. Prandaj, ne nuk e kemi ndërmend të ndalemi së demaskuari këtë qeveri të dëmshme, pa marrë parasysh fuqinë tonë opozitare në Kuvend, por gjithnjë me shpresë se do të rritet populli opozitar që nuk do të bie pre e mashtrimeve dhe fjalëve të bukura të Kryeministrit, e që herëdokurë do t’ia japë përgjigjen që e meriton”, ka shkruar Haradinaj.