Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar letrën që kryeministri Albin Kurti, ia ka dërguar Lidhjes Demokratike të Kosovës, e në të cilën e lut për koalicion qeverisës.
Duke folur pas dështimit të 11-të të konstitutimit të Kuvendit, Haradinaj ka thënë se kjo është dashur të ndodhte menjëherë pas zgjedhjeve, dhe jo të priten 90 ditë.
“Është dashur menjëherë pas zgjedhjeve, jo të priten 90 ditë. Është situatë e rëndë në Kosovë, po i harrojmë temat e tjera, rritja e çmimit të energjisë është bërë e rëndë për prodhuesit dhe ne jemi vend që importojmë shumë. Kanë me pas zor me i mbajt punëtorët, jemi duke humbur kohë, duhet të kujdeset dikush për ta”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo krizë, është një kandidat unifikues.
“Si fillim Kurti do ta jepte një shenjë të mirë që e ka ndërmend që të ecë përpara, duke gjetur një kandidat që LDK-ja mund ta votojë, PDK-ja ose ne”, është shprehur Haradinaj.
