Kryeministri i Kosovës ka ripërsëritur se kufijtë e Kosovës janë vendosur me luftën e UÇK-së dhe të NATO-s dhe vetëm lufta mund t’i lëvizë sërish ata, raporton KTV.
I ka quajtur imagjinare idetë për bashkëngjitjen e Luginës Kosovës, që po i përsërit presidenti, derisa ka arsyetuar presidentin se po përdor kartën e njëjtë me të Vuçiqit.
Njerëz me imagjinatë të zhvilluar i ka quajtur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ata që mendojnë se Lugina e Preshevës do t’i bashkohet Kosovës.
I bindur në atë se kufijtë e Kosovës janë vendosur me luftë dhe vetëm me luftë mund të lëvizin, ai ka kujtuar se për ta kanë rënë mijëra njerëz.
Pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj theksoi se duhet të jemi realist dhe të pranojmë faktin se korrigjimi i kufijve është tema e cila i shkon për shtati vetëm Vladimir Putinit.
Por e ka arsyetuar deklaratën e presidentit Hashim Thaçi, të cilit ia ka besuar udhëheqjen e dialogut. Sipas tij, presidenti mund të përdor metoda të njëjta në dialog njësoj si pala serbe e cila pretendon se veriu i takon Serbisë.
Për Asociacionin ka thënë se nuk do të lejojë të jetë jashtë kornizave ligjore të Kosovës, pavarësisht se vlerësimi i parë është se duhet shqyrtuar me kujdes.
Sa i përket zhvillimeve të fundit rreth liqenit të Ujmanit dhe aksionit të KFOR-it në veri, kryeministri e quajti si një garanci të mirë të paqes shtimin e forcave në atë zonë.
Serbia e ka një ëndërr që ta marrë veriun e Kosovës, por sipas kryeministrit, kjo assesi nuk do të ndodhë.
Ndërkohë, Rasim Demir, ministër pa portofol, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që edhe boshnjakët e Mitrovicës të kyçen në dialogun final me Serbinë.
Ai ka thënë në Qeveri se ata po ndjehen të pasigurt dhe po mendojnë të ikin nga pjesa veriore e vendit.
Haradinaj ka theksuar se do të shqyrtohet kjo kërkesë dhe nëse ka nevojë për konsulta do të thirret edhe komuniteti boshnjak.
Ndryshe, qeveria ka kaluar disa propozim vendime, në mesin e të cilave edhe ndryshimin e titullarit të disa pronave nga publike në komunale.
Ndërkaq, është raportuar edhe për respektimin e marrëveshjes së MSA-së, e cila bazuar në raportet e Ministrisë së Integrimeve, ka një rënie këtë vit.