00:51 - Sipas Albin Kurtit fati i presidentit, siç e quan ai, të dobët Hashim Thaçi është kryeministri i dobët, Ramush Haradinaj.
“Ai është lideri i partisë së pestë në Kuvend. Unë mendoj se i konvenon edhe zotit Haradinaj që të kthehemi në popull dhe të kërkojmë legjitimitetin”, ka thënë Kurti.
Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se nuk i mbetet hatri pse Haradinaj i tha qyqan.
“Nuk i gjykoj njerëzit në bazë të karaktereve, por në bazë të funksioneve. Aso kohe kur kundërshtonte Asociacionin dhe Demarkacionin Haradinaj ishte në rrugë të drejtë. Por ku janë sot 8200 hektarë, ku janë Zhlebi, Kulla e Çakorri. I gënjyen deputetët se do të bëhej korrigjim i kufirit, pikërisht në marrëveshjen e kaluar”, ka thënë Kurti.
Për Haradinajn ka thënë se “do të ishte më mirë ta linte me ato 100 ditë, se ndoshta do t’i mbetej merak popullit, se sa e hoqi këtë merak në mënyrën më të keqe të mundshme”.
Kurti për PSD-në: Qasja e tyre ndaj VV-së s’është më pak se armiqësore, ndaj Qeverisë më shumë se mirësjellje
00:50 - Kur ka folur për PSD-në, kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti, ka thënë se ftesa për protestë i është drejtuar të gjithëve.
“Por kemi besuar dhe besojmë se strukturat e LVV-së dhe LDK-së do të jenë ato që organizojnë protestën, për shkak të infrastrukturës dhe bashkëpunimit në Kuvend”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se “qasja e tyre (PSD-së) ndaj Lëvizjes Vetëvendosjes s’është më pak se armiqësore dhe qasja e tyre ndaj Qeverisë është më shumë se mirësjellje”.
“Nëse është diçka që kam provuar të bëjë është që kam provuar t’i harrojë. Nuk kam kohë të merrem me ta në këtë kohë në të cilën ndodhemi. Vetëvendosje ka kryer zgjedhje në 16 Qendra dhe sekretarja organizative Vlora Haxhimehemeti e ka organizuar procesin si askush tjetër më parë në këto 13 vjetët e fundit”.
Kurti: Edhe po të dyfishohet, PSD-ja nuk e kalon pragun
00:45 - Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes, i është kundërpërgjigjur ish-bashkëpartiakut të tij Dardan Molliqaj, që kishte thënë se Kurti nuk merr vesh në sondazhe.
Duke komentuar sondazhet e fundit që e nxjerrin partinë e re të Molliqajt dhe të tjerëve të larguar nga VV-ja e që kaluan në Partinë Socialdemokrate, Kurti ka thënë se kjo parti edhe po të dyfishohet në zgjedhje, nuk e kalon pragun.
“Unë gjithmonë edhe kur kam udhëhequr VV-në edhe kur nuk e kam udhëhequr vetë jam udhëhequr nga një maksimë angleze që thotë të shpresojmë më të irën, por të presim më të keqën. Ashtu jam edhe sot. Nën një është organizata, struktura, shtrirja, shtimi e shtrëngimi i radhëve. Në opinionin publik VV del 21 dhe 23 për qind. Edhe nëse dyfishohen nuk e kalojnë pragun. Besoj se Lëvizja Vetëvendosje do të dalë shumë mirë dhe nuk vjen për shkak të efektit që shkaktojnë sondazhet, por për shkak të disponimit të qytetarëve”, ka komentuar Kurti në Interaktiv të KTV-së.
Kurti: Qeveria e kontestoi shtetësinë në veri me lejen për Vuçiqin në veri e ndalesën në Drenicë
00:30 - Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se qeveria e Kosovës ka bërë gabim fatal që i ka dhënë leje presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të vizituar veriun e Kosovës.
Sipas tij, Vuçiqi deshi që me këtë vizitë të caktojë veriun e Kosovës si pikë të panegociueshme në dialog. Gabim i madh, sipas Kurtit, ishte edhe ndalimi i vizitës së Vuçiqit në Drenicë. Kurti thotë se me këtë qeveria e kontestoi shtetësinë në veri.
Kurti ka thënë se nuk e ka ditur se do ta marrin shumë seriozisht Thaçi e Vuçiqi deklaratën e tij se “u ka mbetur vetëm t’i martojnë fëmijët për të kurorëzuar afërsinë”.
“Nuk kam menduar se do ta marrin kaq seriozisht. Nuk jam penduar. Bëhet fjalë për dy autokratë që po na kthejnë në feudalizmin e shekujve të kaluar. Janë afruar aq shumë sa që ka mbetur ta kurorëzojnë afërsinë siç bënin princërit feudalë me trajtimin e familjeve të tyre si robër që mund t’i shkëmbejnë. Flasin për territore ku i trajtojnë si tokë të feudit. Kjo s’ka ndikuar në anulim të takimit. Vuçiqi anuloi takimin sepse Thaçi është gati kurdoherë për takim. Ky jeton dhe ekziston për këtë takim. Vuçiqi ka dashur që njëherë ta bëjë vizitën në veri të Kosovës”, ka thënë Kurti. “Ai deshi ta vuloste se veriu është i tij, e pastaj fliste për Graçanicën e të tjerat. Ai nuk shkoi në takim sepse deshi ta bënte të panegociueshëm veriun. Këtu bëri gabim fatal qeveria që i dha lejen. Më mirë ta ndalte populli sesa një nënleje brenda lejes. Në një mënyrë e kontestoi shtetësinë”.
Thaçi po do ta zëvendësojë Gjermaninë me Rusinë në vendin e dytë të aleatit, thotë Kurti
00:20 - Sipas kreut të Lëvizjes Vetëvndosje, Albin Kurti, vendin e parë të aleatit të Kosovës duhet ta zë pa dyshim SHBA-ja.
“Vendin e dytë e ka Gjermania. Thaçi po do ta zëvendësojë Gjermaninë me Rusinë. Jo rastësisht është takuar me Medvedevin, e pikërisht në një studio televizive në Shqipëri i çoi porosi ambasodirt të Rusisë se dëshiron ta takojë Putinin”, ka thënë Kurti në Interaktiv të KTV-së.
“Ai synon fotografi me Trumpin, por takim me Putinin. Sepse SHBA-të duhet të mbeten aleati jonë i parë, por mendon ta zëvendësojë Gjermaninë me Rusinë. Sonte do të bëhen rend presidentët për t’u fotografuar me Trumpin. Por takimi me Trumpin është forma, ndoshta më pak se kaq, është lustra, ndërsa substanca është Putini”, ka thënë më tej.
Kurti ka thënë se SHBA-ja nuk mund të na mbrojë nga vetvetja.
“Ata me Bondsteelin, me KFOR-in, mund ta na mbrojnë nga ndonjë mësymje serbo-ruse, por nuk mund të na mbrojë nga presidenti ynë”, ka thënë ai.
Kurti: Kurrë nuk ka pasur afërsi më të madhe të liderëve të Kosovës e Serbisë, si Thaçi e Vuçiqi
00:10 - Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se Hashim Thaçi së pari ai ka folur për kompromis të dhimbshëm, e nuk ka treguar se kujt i shkakton dhimbje ky kompromis
“Natyrisht se është fjala për dhimbje për Kosovën, e jo për trupin e tij”, ka thënë Kurti, në Interaktiv të KTV-së.
Ai ka folur edhe për samitin Alpbach të Austrisë, ku në një panel ishin bashkë Thaçi e Vuçiqi.
“Problemi aty nuk qëndron te përgjigja e Thaçit, jo as te anglishtja e dobët e tij, jo as veprimi i presidentit Pahor që uli kokën në shuplakë të dorës. Ndonjëherë e vërteta konsiston te përgjigja, por ka raste edhe kur e vërteta konsiston te pyetja. Pyetja e moderatorit ishte: A do të jepni territor për marrëveshje?. Dhe, ky nuk tha jo. Pra pyetja e moderatorit është e vërteta, e jo përgjigja”, ka thënë Kurti, teksa kujtoi edhe momentin kur Vuçiqi i tha Thaçit “mos thuaj asgjë”.
“Nuk kemi pasur asnjëherë afërsi në mes të liderit të Kosovës dhe Serbisë, madje edhe në shekullin e kaluar zor se mund të gjendet një afërsi e tillë”, ka thënë Kurti.
Thaçi po thotë që Serbia nuk na njeh, askush nuk e bindi Serbinë që të na njohë, ka thënë Kurti.
“Thaçi po na thotë se e paska një ide se si ta bëjë këtë”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, Thaçi po e përdorë Luginën e Preshevës si karem për t’i bërë shqiptarët që të bëhen pjesë e aventurave të tij.
“Nuk ka shqiptar që është kundër bashkimit të Luginës me Kosovën. Një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës kanë filluar ta mendojnë Kosovën pa veriun, që është gabim dhe kanë filluar ta mendojnë të copëtuar Luginën.
Po krijohen tensione brenda shqiptarëve. Kosova nuk bën të ndahet”, ka thënë Kurti.
Sipas Kurtit, “jemi në rrezik”.
“Kjo do të ishte një situatë humoristike sikur ky të mos ishte president. Do të mund t’i konkurronte këtyre emisioneve humoristike në Kosovë. Por e keqja është se ky është president”.
Kurti ka thënë se “pajtimi me Serbinë është i mundshëm vetëm duke e deformuar historinë”.
Me Vuçiqin nuk ka pajtim përveç nëse nuk përfundon në interesat nacionaliste të tij.
Kur ka komentuar deklaratat e Thaçit për “dhuratën e Rankoviqit me veriu”, Kurti ka thënë se Thaçi në vend se të flasë për aksionin e armëve e të këqijat e tjera të Rankoviqit, e zgjodhi që të flasë kinse për këtë dhuratë.
Sipas tij, ideja e kësaj qëndron te hileja për të marrë Serbia Majën e Pançiqit, 2017 metra e lartë, që është e një rëndësie të veçantë strategjike.
“Serbia e do Majën e Pançiqit dhe ujërat”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se në takimin me Serbinë Kosova duhet të ketë fjali të parë kërkimin e njohjes si shtet e më pas të përballet me të kaluarën dhe të ketë reciprocitet të të drejtave për shqiptarët në Serbi.
Kurti ka vlerësuar se Shqipëria dhe Kosova duhet të ndryshojnë kufirin për të afruar bashkimin kombëtar, por këtë assesi nuk duhet ta bëjnë përmes “pazareve me Serbinë”.
“Më të integruar e ka Shqipëria kufirin me Malin e Zi se me Kosovën. Duhet të bëjmë bashkimin ekonomik. Çka i ndalon të bëjnë TVSH-në e njëjtë e të bëjnë liberalizimin Kosovë-Shqipëri”, ka shtuar Kurti.
Sipas Kurtit, përkrahja e kryeministrit shqiptar Edi Rama për idenë e Thaçit vjen sepse të dy kanë këshilltarët e njëjtë.
Kurti: Çdo individ që del nga skenari VV-së në protesta do konsiderohet si i infiltruar prej pushtetit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka treguar se kjo parti ka nisur të mbajë tubimet në qytete të ndryshme të Kosovës, për t’u përgatitur për protestën e 29 shtatorit.
Kurti në Interaktiv të KTV-së tha se sheh pakënaqësi te qytetarët, e për këtë, ata janë të bindur për të dalë në protestë, që është marsh paqësor.
“Kemi qenë fillimisht të interesuar që protesta të jetë më 7 shtator, atëherë duhet të vinte Vuçiqi në Kosovë, por ishim të organizuar që mos ta organizonim vetëm ne, por me LDK-në, kështu vendosëm me 15 ose 22 shtator, pasi s’u realizua, vendosëm më 29 shtator, atë ditë kur as s’punojnë institucionet. Kemi pasur më shumë kohë për tubime, kjo do të ndikojë në masivitetin e protestës. Atë ditë do të shihet që ka qytetarë që s’mendojnë sikur Thaçi. Ai s’ka as parime e as qëllime të sakta”, tha Kurti, transmeton Koha.net.
Lëvizja Vetëvendosje, deshi që kjo protestë të organizohej me LDK-në, por Kurti thotë se kjo s’ndodhi, megjithatë do ia dalin mbanë vet. Ka përmendur edhe deputetin e pavarur Korab Sejdiun, që sot tha se do i bashkëngjitet kësaj proteste.
Lideri i LV-së, tha se kriza institucionale ku ndodhet Kosova, thërret që, siç tha ai, “të mos mjaftohemi vetëm me polemika brenda sistemit, por edhe të kemi sheshin e rrugët e mbushura”.
Kurti tregoi se është takuar rreth tri herë me kreun e LDK-së, Isa Mustafën, dhe kanë diskutuar për aktualitetin politikë e çka mund të bëjnë bashkë. “Pas bojkotimit që na bëri qeveria ne, e bojkotuam edhe ne atë, sepse një qeveri si kjo, është me të vërtetë e pashembullt në këtë Republikë Parlamentare”, tha tutje.
Ai tha se është optimist, që jo vetëm ditën e protestës, por, edhe tutje, do krijojnë hapësirë të ndalen pazaret mes Thaçit dhe Vuçiqit.
Kurti tha se pret që edhe mërgata të vjen masivisht. “Dikur mobilizoheshim të gjithë për shtet të pavarur, sot kem shtet të kapur, e ata që janë të pavarur nga shteti janë forca kryesore për të ecur përpara”, tha ai.
Është e rëndësishme t’i tregohet botës se Thaçi nuk e ka përkrahjen e popullit
Albin Kurti tha se mërgata jonë, e di se si është mirë e drejt e dobishëm, sidomos në vendet e BE-së.
Kurti ka thënë se duan që mërgata të votojnë në ambasada e konsullata, mundësi kjo që asnjëherë s’u është dhënë.
Lideri i LV-së, tutje tha se protesta do jetë paqësore. “Çdo individ që del nga skenari ynë, do konsiderohet si infiltruar prej pushtetit. Kjo protestë do ketë edhe grupe muzikore. Nuk mund të ecim përpara as me përsëritje e as me nostalgji,. Kjo është protestë e re dhe masive që do të zë lajmet kryesore në mediat botërore”, tha ai, duke shtuar se e gjithë bota duhet ta mësoj se presidenti Hashim Thaçi, s’e ka mbështetjen e popullit.