Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj me akuza të hapura: Thaçi, Rama dhe Mogherini diskutuan për ndarjen

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se kushdo që përmend korrigjimin e kufijve si mundësi, e di që ajo sjell tragjedi dhe luftëra.

Haradinaj ka thënë se presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë folur me përfaqësuesen e BE-së, Federica Mogherini, për ndarjen e Kosovës.

Haradinaj ka thënë Mogherini nuk do të ndërmjetësojë shumë gjatë dialogun, pasi sipas tij, koha e saj ka përfunduar.

Kreu i Ekzekutivit ka shtuar se nuk mund të pranojë kushtin e Serbisë për heqjen e taksës, kur ka parasysh masakrat që shteti serb ka kryer në Kosovë.

Për kufijtë, në tryezën e organizuar nga KDI-ja, ka folur edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet, i cili tha se ndryshimi i tyre nuk është asnjëherë zgjidhje e problemeve.

Korrigjimin e ka vlerësuar të dëmshëm për serbët e Kosovës dhe kryetari i Partisë Progresive Demokratike, Nenad Rashiq.

Ky diskutim është organizuar pak ditë pas përfundimit të Samitit të Berlinit, ku morën pjesë krerët e Ballkanit Perëndimor me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.

Opozita ka vlerësuar se në këtë samit, përfundimisht, është hedhur ideja për ndryshim kufijsh.