Kryeministri Ramush Haradinaj mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Zëri i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë konfliktit në Kosovë”, organizuar nga Fondacioni Jahjaga, në rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave. Aty mori pjesë edhe ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Haradinaj, siç njofton komunikata nga kryeministria, ka thënë se “Kosova ka vlera të larta njerëzore, familjare dhe jam i bindur se është e gatshme t’i kupton drejtë dhe nuk dështon për të qenë afër me viktimat e dhunës seksuale. Shembulli më i mirë për këtë e gjen te aktivistet, siç është edhe presidentja Jahjaga e cila ka dhënë shumë për këtë kauzë”.
“Ajo që është tepër e rëndësishme, ne shprehim gatishmërinë e institucioneve të Kosovës që të bashkëpunojmë me të gjithë mekanizmat për të marrë përvojat e vendeve tjera që ta shërojmë këtë plage që kemi në shoqëri", tha kryeministri duke shtuar se shërimi i kësaj plage dhe nxjerrja në dritë e të vërtetës, çlirimi nga vuajtja është një bazë e mirë, që duke shëruar këtë plagë shërojmë plagët e një populli.
“Është në interes të rajonit tonë që plagët e këtilla të të kaluarës sonë të shërohen. Pjekuria dhe vlerat e një shoqërie më së miri vërehen nga mos amnistia e dhunës seksuale. Kjo është në dobi të të gjithë popujve", tha tutje Haradinaj duke shtuar gjithashtu se e ardhmja e Ballkanit dhe e popujve tanë asnjëherë të mos na ballafaqoj me befasi dhe plagë të këtilla.
Ish-Presidentja Atifete Jahjaga, ka theksuar se 20 vite pas luftës në Kosovë, viktimat e dhunës seksuale po jetojnë me frikën se të kuptuarit e asaj që ju ka ndodhur atyre, ato do t’i identifikoj si “gra të dhunuara” dhe kjo të bëhet pjesë e identitetit të tyre.
“Por shoqëria jonë duhet të ketë forcën dhe moralin që ato të mos i stigmatizojë në asnjë mënyrë dhe në asnjë situatë”, tha Jahjaga.
Edhe
Haradinaj i premton Jahjagës përkrahjen e Qeverisë në trajtimin e rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës
Konferenca është organizuar nga Fondacioni Jahjaga dhe me mbështetjen e Ambasadës gjermane në Prishtinë dhe ekipit të OKB-së në Kosovë, duke synuar hapjen e diskutimit publik për dhunën seksuale si mjet të konfliktit.
Pjesëmarrës në konferencë ishin edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairí O’Connell, ambasadori gjerman Christian Heldt, ambasadori amerikan Filip Kosnet dhe Ulrika Richardson, koordinatore për Zhvillim e KB-ve.
Konferenca do të mbështes “Deklaratën e Prishtinës” që synon ta ngrit perspektivën e të mbijetuarve në nivel global.