Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj: Britania e Madhe ka rol të rëndësishëm për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në takimin që ka pasur me Richard Morren, drejtor i Përgjithshëm për Çështjet Politike në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, ka thënë se Kosova është e përkushtuar të intensifikojë bashkëpunimin me këtë vend.

Gjatë takimit u diskutua për progresin e Kosovës, prioritetet e Qeverisë, agjendën integruese të Kosovës dhe përkushtimin e Qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për zhvillimin ekonomik dhe çështjet jetike për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Kryeministri Haradinaj ka falënderuar Britaninë e Madhe për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap Kosovës në shumë fusha në të gjitha etapat e shtetndërtimit të saj, duke kërkuar mbështetjen e mëtejme për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe fuqizimin e subjektiviteti ndërkombëtarë të Kosovës”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

“Ndihma dhe angazhimi i Britanisë së Madhe është i nevojshëm në Kosovë dhe ky partneritet duhet të avancohet edhe në fusha të tjera, në interes për të dyja vendet”, ka thënë Haradinaj.

Drejtori i Përgjithshëm për Çështje Politike, Moore, ka vlerësuar progresin e Kosovës, duke thënë se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë angazhimin e saj në Kosovë, duke e mbështetur vendin në procese të rëndësishme dhe në rrugën evropiane.

Në këtë takim u bisedua edhe për përgatitjet e Kosovës për pjesëmarrje në Samitin e Londrës, i cili do të mbahet javën që vjen dhe ku Kosova do të përfaqësohet nga Haradinaj.

Artikuj të ngjashëm