Donika Kadaj-Bujupi nuk përkrahu kryetarin e VV-së Albin Kurti, por as nuk shkoi me grupin e të pakënaqurve në VV, të cilët nga dje formuan grup të ri parlamentar.
Kadaj-Bujupi zgjodhi që të kthehet atje prej nga kishte ikur, në partinë që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, që aktualisht është shef i ekzekutivit.
Rikthimi i bashkëpunëtores së tij shumëvjeçare e ka gëzuar kryeministrin e vendit. Sipas tij deputetja Kadaj-Bujupi ka përvojë në tema politike.
“Donikës i kam uruar mirëseardhje, kemi rrugëtuar për një kohë të gjatë bashkë, janë procese të ndjeshme në vend, nevojitet roli i secilit dhe Donika ka përvojë në tema politike”, tha Haradinaj.
Ndërsa kur u pyet nëse deputetja e rikthyer e AAK-së ka kërkuar ndonjë post ministror apo ndonjë favor tjetër, Haradinaj tha se Donika Kadaj-Bujupi nuk ka pasur asnjë kërkesë të çfarëdo natyre përveç se, siç i ka thënë ajo, i është pamundësuar veprimi në VV pas ndryshimeve që kanë ndodhur.
“Ajo nuk ka bërë ndonjë kërkesë të çfarëdo natyre qoftë. Është deputete. Vlerësimi i saj ishte ‘dua të jap kontribut', që i është pamundësuar në organizatën ku ishte me këto ndryshime që ndodhën dhe ka besuar të vazhdojë kontributin me neve”, tha kryeministri Haradinaj.
Edhe
Haradinaj në Qeveri takon Donika Kadaj – Bujupin, mirëpret kthimin e saj në AAK
Donika Kadaj-Bujupi për shumë vjet ka qenë anëtare e AAK-së dhe deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e kësaj partie.
Me kthimin e saj në AAK, partia e kryeministrit i ka 11 deputetë në Parlament.