Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hapet tenderi për rindërtimin e Piramidës në Tiranë

Bashkia Tiranë ka hapur tenderin për rindërtimin dhe transformimin e Piramidës në një qendër edukimi për teknologjinë për të rinjtë.

Fondi limit i tenderit është rreth 14 milionë euro pa TVSH, dhe të gjitha kompanitë e interesuara kanë afat deri në 2 shtator për të dorëzuar ofertat.

Financimi i rindërtimit të Piramidës do të sponsorizohet nga Bashkia Tiranë, Ministria e Arsimit dhe Fondicioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, i cili ka mbuluar dhe shpenzimet për hartimin e projektit, raporton exitnews.

Pas shpalljes së kompanisë fituese, punimet tek Piramida pritet të zgjasin për 2 vite.

Kryebashkiaku Veliaj ka premtuar prej vitesh rikonstruksionin dhe ndryshimin e funksionit të Piramidës, por vetëm muajt e fundit ka nisur puna konkretisht.

Ndërkohë bashkia ka që prej rreth 2 vitesh që ka rrethuar Piramidën dhe lulishten përreth saj. Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për rikonstruksionin e Piramidës vetëm në qershor 2020, me kërkesë të Bashkisë Tiranë, shkruan exitnews.