Muhamet Hamiti, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se Qeveria e Kosovës po tregohet e paaftë në dialogun me Serbinë.
Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë të martën se ka intensifikim të angazhimit evropian në procesin e dialogut, kurse theksoi se Qeveria e ka kthyer dialogun teknik.
“Kjo qeveri nuk ka qenë proaktive, ka qenë e pazonja në punët e dialogut tash një vit e gjysmë, dialogun për çështje politike, për elemente të marrëveshjes gjithëpërfshirëse e ktheu në dialog për çështje teknike. Dialogu para 11 vjetësh filloi si teknik dhe kaloi në politik kur qeverinë e drejtoi LDK-ja”, u shpreh ai.
Hamiti ka thënë se dialogu duhet ta ketë njohjen reciproke në thelb dhe çështjet tjera të jenë elemente në marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Ai futi si elemente të tilla, çështjen e dokumenteve apo Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Dialogu politik me njohje në thelb i zgjidh çështjet e tjerat. Çështja si ajo e letërnjoftimit janë shumë më të vogla kur të jetë kryer marrëveshja për njohje. Qeveria e Serbisë e ka zvarritur gjithë këtë proces mjeshtërisht dhe Qeveria e Kosovës ka rënë në grackën e tyre duke pranuar që të bëjë biseda për çështje praktike dhe ta degradojë dialogun nga politik në teknik”.
“Nuk i kërkohet Kosovës, e ka thënë Lajçaku dhe Escobari, që kërkohet kompromis që dëmton shtetësinë e Kosovës, jo që prek rendin kushtetues. Ne themi që çështjet e pazgjidhura mes shteteve zgjidhen derisa Kosova ruhet në tërësinë e vet. Elementet mund të jetë çështja e asociacionit që nuk ka fuqi ekzekutive”.
Hamiti shtoi se dialogu ka ngecur në dy vjetët e fundit dhe sipas tij duhet të kthehet në dialog politik sa më parë.
Theksoi se vendimi për njohje reciproke është i vështirë për Serbinë, por edhe i pashmangshëm për të.
Hamiti: Qeveria Kurti është treguar e pazonja në të gjitha fushat
Muhamet Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar për moszotësi Qeverinë Kurti, duke thënë se ajo është treguar e pazonja në të gjitha fushat.
“Kjo Qeveri është treguar e pazonja në politikën e jashtme, siç është treguar edhe në fushën e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe në të gjitha fushat e tjera”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Për çështjen e grevës në arsim, Hamiti ka thënë se duhet të ketë sa më shpejt një dialog mes Qeverisë dhe sindikatave, teksa ka akuzuar ekzekutivin se po bën monolog.
“VV-ja në opozitë i ka parë sindikatat si partnere. Sindikatat kanë krijuar pritshmëri nga kjo Qeveri. Këta thonë se janë socialdemokratë, por nuk sillen si të tillë. Këta s’bëjnë as dialog me qytetarët e vet. Bëjnë monolog. Kurti është një populist tipik. Kjo situatë zgjidhet vetëm duke bërë dialog. Tallen me kërkesat e shtetasve të vet. Kushdo që s’e do këtë qeveri, janë problematikë. LDK-ja me fuqinë që ka dhe gjendjen që është kërkon sa më shpejt të ketë dialog dhe fëmijët të kthehen në shkollë”, ka shtuar Hamiti.