Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haliti: Serbia e futi në grackë Qeverinë e Kosovës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka konsideruar se Serbia është shkaktarja kryesore e krizës në veri, duke shtuar se ishte ajo që e futi në grackë Qeverinë e Kosovës.

Haliti është optimist se situata në veri mund të zgjidhet nëse, sipas tij, ajo çka ka thënë kryeministri Albin Kurti nuk është veç fjalë goje.

“Sot ishin edhe dy kryeministra në Kosovë, ai i Holandës dhe Luksemburgut, ishte Lajçak, por ajo që më bëri përshtypje për të mirë dhe besoj që është për të shpresuar në reflektim nga Kurti është fjalia e tij që tha se çështjeve do t’i japim zgjidhje në mënyrën evropiane. Nëse është bindur ai që duhet t’i japim zgjidhje në mënyrë evropiane, atëherë bisedimet do të jenë të frytshme dhe do të përfundojnë me zbatim të marrëveshjeve të nënshkruara. Nëse ka qenë fjalë goje, është diçka tjetër. Kjo situatë është krijuar edhe nga Serbia, dhe jo vetëm nga Kosova siç po akuzohemi. Serbia është shkaktarja kryesore, ajo e futi Qeverinë në grackë që të bëjë aventura të radhës”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Deputeti i PDK-së ka theksuar se meqë populli i Kosovës është më pro-evropiani dhe më pro-amerikani, atëherë, siç thotë Haliti, edhe politikat qeverisëse duhet të jenë të fokusuara kah orientimi perëndimor.

Haliti ka thënë se kryeministri Kurti dëshiron të hyjë në histori me variantin e vet.

“Mendon se mund të arrijë më shumë se ç’është arritur deri më tash”, ka thënë Haliti.

Me rezolutën e fundit të PDK-së për të bllokuar çdo komunikimin me Qeverinë, Haliti ka thënë se po përpiqen që t’i bëjnë presion Kurtit, që jo t’i nënshtrohet dikujt, por sipas tij, të jetë vazhdues i vendimeve që kanë marrë në të kaluarën në lidhje me Serbinë.

E ka akuzuar Kurtin, anëtarët e Qeverisë e disa deputetë të VV-së për papërgjegjësi.

“Papërgjegjësi individuale dhe kolektive është kjo sjellje. Nuk mund t’i kuptoj këtë qasje të Qeverisë dhe të ndonjë deputeti të pushtetit, që janë kaq gabim në qëndrimet e veta në raport me kërkesat e ndërkombëtarëve”, ka theksuar Haliti.

 

Artikuj të ngjashëm