Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Halili kandidat i AAK-së për kryetar të Ferizajt

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka prezantuar kandidatin për kryetar të Ferizajt për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Arben Halili do të jetë kandidat nga radhët e AAK-së.

“Arben Halili është kandidati i Aleancës për kryetar të Ferizajt. Ai së bashku me qytetarët do të qeverisin për ngritjen e mirëqenies dhe zhvillimin ekonomik, ashtu siç ka punuar deri më tani me shumë përkushtim, në detyrën e drejtorit të Shërbimeve Publike dhe Emergjencë. Arbeni ka Master në Shkencat e Biologjisë dhe ka punuar kohë të gjatë në arsim. Në Ferizaj, qytetin me veprimtari të madhe ekonomike, përkushtimi i tij kryesor do të jenë punësimi, shëndetësia, arsimi, apo me një fjalë, që jeta e qytetarëve të jetë më e mirë, që shërbimet për ta, të kryhen ashtu siç e meritojnë ferizajasit. Gjatë qeverisë së Aleancës, ne kemi pasur kujdes të veçantë për investime në këtë pjesë, veçanërisht me projektin për Bashkimin e Qytetit, që ndahej nga hekurudha, e shumë investime të tjera. Ashtu edhe do të vazhdojmë, me programin më të mirë qeverisës dhe me ofertën më të mirë kadrovike, kryetarin Arben Halili dhe listën e kandidatëve për Kuvendin Komunal”, ka thënë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

AAK-ja të martën prezantoi 13 kandidatët për kryetarë të komunave për zgjedhjet lokale.

Janë miratuar nga Këshilli Drejtues 13 kandidatë, ka njoftuar AAK-ja. Agron Kuçi në Junik, Ardian Gjini në Gjakovë, Ali Krasniqi në Obiliq, Bali Muharremaj në Suharekë, Bashkim Ramosaj në Deçan, Bekë Berisha në Istog, Besnik Tahiri në Podujevë, Daut Haradinaj në Prishtinë, Faton Jakupi në Kamenicë, Mensut Ademi në Vushtrri, Rrustem Berisha në Pejë, Smajl Latifi në Rahovec dhe Zenun Elezaj në Klinë, janë 13 emrat e parë që kjo parti i ka prezantuar.