Kryetari i degës së veteranëve në Drenas, Enver Hajdari, ka thënë se kërkesat e kësaj kategorie ndaj Qeverisë janë minimale dhe të domosdoshme, ndërsa shtoi se përfshirja e pensioneve të tyre në Projekligjin për pagën minimale është diçka që iu takon, sipas tij, me ligj.
I ftuar në emisionin “60 Minuta” në KTV të enjten, Hajdari ka thënë se kërkesës së kryeministrit Albin Kurti për takim të premten, do t’i përgjigjen pozitivisht për të parë vullnetin e tij për këtë kategori të luftës, por se nuk do të ndalen së kërkuari përfshirjen në pagën minimale.
“Ne kurrë nuk u kemi ikur debateve e takimeve, kurrë në jetë nuk na ka ftuar të diskutojmë, ne besojmë që nesër do të takohemi dhe të shikojmë se çfarë dëshiron të bëjë. Besoj që do të kemi një takim nesër, do ta dëgjojmë se çfarë vullneti ka për këtë kategori të luftës, por një gjë do ta ketë parasysh se si organizatë nuk do të tërhiqemi nga kërkesat tona”, ka thënë ai.
Hajdari ka thënë se si organizatë i kanë ftuar qytetarët dhe të gjitha partitë që të dalin në mbështetje të kërkesës së tyre në protestën e mbajtur për herë të dytë brenda 10 ditëve para Kuvendit të Kosovës. Ai mohoi se kanë pasur koordinim me ndonjë subjekt politik.
“Ne si organizatë i kemi ftuar të gjithë qytetarët, të gjitha partitë politike të dalin në mbështetje të kësaj kategorie, ne nuk e kemi pasur ndonjë koordinim me ndonjë parti politike, e kemi marrë iniciativën sepse e kemi parë të domosdoshme. Asnjëherë nuk do të dalim në mbështetje të një partie, i kemi kërkesat e qarta, populli e sheh që veteranët e luftës janë të anashkaluar nga paga minimale”, ka thënë ai.
Edhe
Veteranët paralajmërojnë protesta, Kurti propozime të reja
Sa i përket fryrjes së listës së veteranëve, Hajdari ka akuzuar kryeministrin Kurti se nuk është veteran i vërtetë dhe se “do të duhej të quhej dezertor”.
“Sipas meje, për Albin Kurtin veteranë të mirë për të janë vetëm veteranët e vdekur, përndryshe po të ishte veteran i vërtetë ai, do t’i trajtonte në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë jam kryetar i organizatës së veteranëve prej vitit 1999. Kur ka qenë koha e aplikacioneve është dashur të jepen të dhënat. Kemi një informacion të saktë se Albin Kurti kur e ka mbushur aplikacionin, e ka mbushur si luftëtar veteran, nuk është. Në momentin kur ka dashur t’i jepet arma, ai ka thënë se armë nuk dëshiron. Po të kishte ligj, Albin Kurti sot ka mundur të jetë dezertor i luftës”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se Qeveria i ka të gjitha mekanizmat për të krijuar hapësirë dhe për të gjetur metoda në mënyrë që të kuptohet se cilët janë ata veteranë të rrejshëm.
Llumnica: Nëse s’plotësohet kërkesa për tërheqjen e 30%-shit, kërkojmë rritje pagash
Në emision i ftuar ishte edhe Nexhat Llumnica, kryetar i sindikatës së re të punëtorëve në KEK. Një grup punëtorësh të kësaj ndërmarrjeje protestuan të enjten duke kërkuar të lejohet tërheqja e kursimeve nga Trusti, propozim i PDK-së.
Llumnica ka thënë se nëse nuk plotësohet kërkesa për tërheqjen e 30 për qind të kursimeve nga Trusti Pensional, do të kërkohet rritje e pagave.
Edhe
“Pastrimi i listave” rikthen debatin mbi veteranët
“Ne e dimë që ka ngritje të çmimit, deklarohet se ka rritje ekonomike por nuk bëhet rritja e pagave. Nëse nuk bëhet rritje pagash, kërkojmë kursimet tona. Këtu janë kapur partitë politike se kush po jep ide më shumë. Edhe ata që nuk e kanë votuar vitin e kaluar tërheqjen nga Trusti, i kanë tërhequr mjetet, sepse të gjithë kanë nevojë. Për t’ia lehtësuar qeverisë për të bërë atë buxhetin më të madh, po i kërkojmë kursimet tona që fiton qeveria buxhet prej tatimeve dhe TVSH-së dhe në njëfarë forme ne do të kemi një jetë pak më të mirë për një kohë të shkurtër, përndryshe ne do të kërkojmë rritje pagash”, ka thënë ai.