Arbëri

Hadri rishkarkohet nga posti i kryeshefit të “Çabratit”, dy javë pasi Apeli e ktheu në punë

As dy javë s’kanë kaluar që kur Gjykata e Apelit vendosi që Berati Hadri të kthehet në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Çabrati” në Gjakovë, dhe ai është rishkarkuar nga bordi i drejtorëve të kësaj ndërmarrje.

Më 13 shkurt, Hadri kishte njoftuar përmes Facebookut se pas dy shkallëve të Inspektoratit të Punës, asaj të Gjykatës Themelore të Gjakovës, edhe Apeli kishte vendosur se ai duhet të kthehet në pozitën e kryeshefit me arsyetimin se shkarkimi i tij nga bordi i drejtorëve ishte i kundërligjshëm.

Ndërkaq të premten, Hadri ka njoftuar se është shkarkuar sërish nga bordi i drejtorëve të “Çabratit”. Për këtë ka bërë edhe kallëzim penal në prokurori.

“Le ta lëmë pozitën e Kryeshefit mënjanë, por si ka mundësi që Vendimi i Gjykatës së Apelit të bishtnohet e të sulmohet në këtë mënyrë, pra Vendimi i Gjykatës sonë e Shtetit në të cilin jetojnë edhe vetë këta anëtarë të mjerë të bordit të cilët përveq paaftësisë janë edhe servilë partiak e politik që funksionojnë me direktiva dhe jo me mendjen e tyre. Si ka mundësi të shpërfillet Shteti dhe Institucioni në këtë mënyrë, ku me veprime dhe vendime të tilla jo vetëm se pengohet funksionimi normal i institucioneve dhe kompanive tona, por dëmtohet edhe parja publike ngase vendimet e tilla kanë konsekuenca ligjore dhe materiale, pra humbje në profit dhe në para”, ka shkruar ai ndër tjerash në Facebook. “Andaj nëse partitë politike megjithatë ua besojnë pozita dhe detyra të rëndësishme njerëzve të tillë të paaftë dhe pakurrizorë, e që mesa duket kjo po bëhet qëllimshëm pasi që më së shumti po iu shkon për shtati atyre, këtë duhet ta korrigjojnë dhe përmirësojnë organet e rendit dhe drejtësisë”.

Në vendimin e bordit për shkarkim thuhet se Hadri ka keqpërdorur detyrën dhe ka tejkaluar kompetencat e punës duke i dhënë pushim vjetor prej 20 ditësh një të punësuari edhe pse s’i kishte mbushur gjashtë muaj punë, siç përcaktohet me ligj.

 

Ashtu siç pritej ashtu edhe ndodhi Sot Bordi qesharak dhe i papërgjegjshëm i K.R.M. Çabratit paska vendosur për...

Posted by Berat Hadri on Friday, February 26, 2021