Pos dy shkallëve të Inspektoratit të Punës, asaj të Gjykatës Themelore në Gjakovë, edhe Gjykata e Apelit ka vendosur se Berat Hadri duhet të kthehet në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Çabrati” në Gjakovë dhe se shkarkimi i tij nga bordi i drejtorëve ishte i kundërligjshëm.
Vetë Hadri, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar për të gjithë procedurën e deritashme, teksa ka publikuar edhe aktvendimin e formës së prerë nga Gjykata e Apelit, që ka vërtetuar aktvendimin e shkallës së parë dhe ët Inspektoratit të Punës.
Hadri ka akuzuar bordin e drejtorëve se në janar të vitit të shkuar e kishin shkarkuar “me qëllime politike”.
“Në lidhje me këtë vendim të kundërligjshëm të Bordit të Drejtorëve, i jam drejtuar Inspektoratit të Punës, ku Ankesa ime është konsideruar e drejtë dhe e bazuar. Inspektorati i Punës ka kërkuar anulimin e vendimit të kundërligjshëm të Bordit të Drejtorëve dhe njëherit kthimin tim në vendin e punës. Kundër vendimit të Inspektoratit të Punës, Bordi i Drejtorëve ka parashtruar Ankesë në shakllën e dytë në Inspektoratin e Punës. Shkalla e dytë e ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë duke konstatuar se vendimi i Bordit të Drejtorëve ishte i kundërligjshëm. Prapë Bordi i Drejtorëve qëllimisht duke bërë shkelje ligjore nuk i respekton dhe nuk i zbaton dy vendimet e Inspektoratit të Punës. Për këtë edhe i është shqiptuar një dënim Kompanisë, e cila ka paguar dënimin me paret e taksapaguesve të qytetarëve, vetëm që të mos e zbatojë vendimin e Inspektoratit. Duke parë që nuk është duke u zbatuar vendimi i organit të Inspektoratit të Punës, i jam drejtuar Gjykatës Themelore në Gjakovë duke kërkuar ekzekutimin e vendimit të Inspektoratit te Punës. Edhe në këtë rast kërkesa ime është konsideruar e bazuar nga Gjykata Themelore, por prapë nuk është respektuar as Aktvendimi i Gjykatës Themelore dhe rasti ka shkuar në Gjykatën e Apelit në Prishtinë. Sot kam pranuar Aktvendimin e formës së prerë nga Gjykata e Apelit, e cila ka vërtetuar Aktvendimin e shkallës së parë si të drejtë po ashtu edhe vendimin e Inspektoratit të Punës, ndërsa vendimin e Bordit të Drejtorëve si të kundërligjshëm”, ka njoftuar ai në Facebook.
{gallery}