Të enjten e 15 majit deputetët refuzuan sërish që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kryetarin e Kuvendit – duke dështuar kështu për të 16-n herë me radhë ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare.
Çështja e votimit të fshehtë është bërë problematike për partitë e tjera që kur u propozua si opsion më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, meqë kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, nuk arriti për disa herë t’i merrte 61 votat e nevojshme. Për shkak se partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë po e konsiderojnë këtë mënyrë jokushtetuese, e kanë dërguar si çështje në Gjykatën Kushtetuese.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, ka thënë se LDK-ja është e unifikuar kundër votimit të fshehtë në Kuvend, e ka shtuar se kjo është marrëveshje mes LVV-së e Listës Serbe.
“Votimi i fshehtë është absolutisht marrëveshje me Listën Serbe që Lista Serbe të votojë jopublikisht dhe këta të dalin të thonë se na kanë votuar disa deputetë”, ka thënë ai në emisionin “60 minuta” në KTV.
“Nëse e sheh që nuk ka vullnet për zgjidhjen e një situate, nuk mund të detyrosh deputetët të marrin pjesë në Kuvend. E kemi një udhëheqës së seancës që ka qëlluar aty veç për shkak të moshës, që është problematik sepse ai e ka uzurpuar karrigen e kryetarin duke tentuar ta ndryshojë mënyrën e votimit, duke u munduar të hapë debate, duke kryer shkelje”, ka shtuar Guri.
Seanca konstituive do të vazhdojë të shtunën, 17 maj. Procesi ka ngecur në votimin e kryeparlamentarit për shkak se partitë e tjera, përveç LVV-së, nuk e po e konsiderojnë të përshtatshme Albulena Haxhiun si kryetare.
Më 15 maj presidentja Vjosa Osmani ka mbledhur liderët e partive politike, por edhe pak këtij takimi nuk ka pasur ndonjë ndryshim në qëndrime. Ajo ka thënë se pati “disponim minimal” për gjetjen e një zgjidhjeje.