Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) më 30 nëntor 2018, mbajti Tryezë Diskutimi me temë: “Progresi në Implementimin e Reformës ne Administratë Publike (RAP): Ku qëndron Kosova”, njofton kumtesa, transmeton Koha.net.
Tryeza mblodhi edhe palët e interesit nga fusha e RAP, ndër të cilët institucionet bartëse të reformës, përfaqësues të shoqërisë civile, qeverisë, mediave, duke përfshirë anëtarët e organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësues diplomatikë.
Në këtë tryezë u paraqitën të gjeturat e Raportit Kombëtar të Monitorimit të RAP në kuadër të projektit WeBER për Kosovën.
Rezultatet e raportit sugjerojnë se Kosova performon më mirë në fushën e ‘Zhvillimit të Politikave dhe Koordinimit’ dhe atë të “Ofrimit të Shërbimeve”, ndërsa më dobët në fushën e “Llogaridhënies” dhe “Kornizës Strategjike për RAP”.
Rezultatet e raportit rajonal të projektit WeBER sugjerojnë se liderët në procesin e antarësimit në BE nuk janë të parët në procesin e reformës së administratës publike.
Më saktësisht, rezultati i përgjithshëm tregon se në krahasim me gjashtë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova renditet e dyta, vetëm pas Shqipërisë, duke lënë prapa liderët në procesin e anëtarësimit në BE, Malin e Zi dhe Serbinë.
Të gjeturat e raportit tregojnë se shoqëria civile nuk është konsultuar mjaftueshëm gjatë zhvillimit të dokumenteve strategjike të RAP, në veçanti ka munguar përfshirja e OSHC-ve në fazat të hershme të konsultimeve. Kjo reflektohet edhe në perceptimin e OSHC-ve pasi që vetëm 15% pajtohen se përfshihen në fazat e hershme të zhvillimit të politikave.
Disponueshmëria dhe besueshmëria e informacionit për të gjitha aspektet kryesore të procesit të konsultimit të dokumenteve strategjike të RAP mungon për dy nga katër dokumentet strategjike.
Vlen të theksohet se kohët e fundit ka pasur një ndryshim në praktikë. Zhvillimi i koncept dokumenteve dhe projektligjeve të pakos së ligjeve për RAP janë konsultuar me publikun nëpërmjet Platformës për Konsultime Publike dhe debateve publike.