Arbëri

Greva në arsim po u sjell probleme prindërve të fëmijëve në kopshte publike

Ekrem Lutfiut, megjithëse të mërkurën e ka ditë pune, i është dashur të kërkojë pushim meqë s’ka kush të kujdeset për dy vajzat e tij, raporton KTV.

Lura 5 vjeçe dhe Lea 2 vjeç e gjysmë, kanë mbetur në shtëpi pasi që të dyja janë pjesë e një çerdheje publike, edukatoret e së cilës janë në grevë përkrah mësimdhënësve tjerë.

Dy ditët e para të grevës ai tregon se nëna e vajzave ka qëndruar me to.

Ai thotë se e mbështet grevën e mësimdhënësve, por në këtë situatë edhe fëmijët edhe prindërit janë më të dëmtuarit.

Image

Lutfiu, që është zëdhënës në Prokurorinë Speciale, ka thënë se pagesat që i bëjnë për fëmijë, ose duhet të pasohen në muajt vijues ose t’u kthehen prindërve.

Në vend se në dollapët e çerdheve të vendoseshin këpucët e fëmijëve, aty po qëndrojnë këpucët e edukatorëve.

29 punonjësit e çerdhes “Yllkat”, thonë se iu vjen keq për gjendjen e krijuar, porse nuk është me fajin e tyre.

Zyrtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, vazhdimisht kanë deklaruar se më nuk u mjaftojnë premtimet dhe vetëm rritja prej 30 % e koeficientit për mësimdhënës, do të ndikojë në ndërprerjen e grevës.