Dy avionë zjarrfikës nga Greqia kanë ndihmuar Shqipërinë në përballjen me zjarret. Për disa orë, avionët nga Greqia kanë punuar për të fikur zjarrin në ditën e pestë në malin e Çikës.
Siç raporton “EuroNews”, në mëngjesin e së premtes për të ndihmuar në fikjen e zjarrit kanë ndërhyrë edhe forcat e ushtrisë.
Deri tani raportohen rreth 80 hektarë toke të djegur. Situata paraqitet më e përmirësuar se të enjten si rrjedhoje e ndërhyrjes së avionëve grekë.
Pak kohë më parë ishte Greqia që ndihmoi duke dërguar avionë për shuarjen e flakëve në ishullin e Sazanit.
Sipas ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, Shqipëria nuk i ka kapacitetet për blerjen dhe mirëmbajtjen e avionëve për shuarjen e zjarreve. Ndërkohë që Shqipëria është ndër vendet me risk të lartë sa i përket zjarreve, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Komisioni Europian./EuroNews Albania