Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Greg Delawie urgjentisht në Kuvend për Specialen, duket i shqetësuar

Numri një i SHBA-së në Kosovës, pas dy reagimeve përmes Twitterit kundër idesë që Kuvendi i Kosovës ta zhbëjë Gjykatën Speciale, tashmë ka mbërri në ndërtesën e organit më të lartë legjislativ të Kosovës.

Delawie është parë i shqetësuar në hollin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa pritet të japë deklaratë për media.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Nga ana tjetër, ka nisur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit me Shefat e Grupeve Parlamentare, e thirrur me nënshkrimet e 43 deputetëve që kanë kërkuar që të mbahet sonte seanca e jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Ashpër kundër një veprimi të tillë është shprehur numri një i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie. Ai ka thënë se SHBA-ja nuk dëshiron që Kosova ta shkatërrojë të ardhmen e saj.

“​Nuk i kemi bërë gjithë ato përpjekje për suksesin e Kosovës, që tani ta shohim duke e shkatërruar të ardhmen e saj, duke shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale”, ka shkruar Delawie, transmeton Koha.net.

“Ideja për të ndryshuar ligjin e Gjykatës Speciale mund të izolojë globalisht Kosovën. Ide e tmerrshme. Mos e ktheni orën mbrapa”, ka shkruar Delawie.

Kujtojmë se ditë më parë me iniciativën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumë qytetarë, por edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së kanë nisur të nënshkruajnë një peticion ku kërkohet ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.

Koha Ditore ka raportuar ditë më parë se zyrtarët më të lartë shtetërorë, Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj, i kanë dhënë shtytje organizimit të peticionit të shoqatave të dala nga lufta, nëpërmjet të cilit synohet t’i ndryshohet mandati Gjykatës Speciale. Në funksion të kësaj, lobingjet kanë nisur edhe në Shtetet e Bashkuara.

Një deputet i subjekteve në koalicion kishte folur shkurt në kushte anonimiteti për gazetën, kur është pyetur nëse, para se të nisin peticionin, organizatat e dala nga lufta kanë marrë sinjale mbështetëse prej krerëve shtetërorë.

“Jo sinjale, por detyrë”, ka thënë ai.

Një burim tjetër, ndërkaq, ka bërë me gisht tek iniciuesit e vërtetë të peticionit.

“Është i cytur nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj. Ka më shumë se tre muaj që ka nisur të shihet mundësia për ta bllokuar këtë gjykatë. Fillimisht kanë dashur ta provokojnë Vetëvendosjen, që ajo ta iniciojë rrëzimin e gjykatës. Tash po shkojnë me këtë variantin, me shoqatat”, ka thënë ky burim.