Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Grajqevci: Kosova e humbi hapin në hulumtimin e krimeve të luftës

Drejtuesi i Këshillit Koordinues për të zhdukurit dhe krimet e luftës, Ahmet Grajqevci, ka thënë se autoritetet kosovare nuk kanë bërë sa duhet për hulumtimin e të zhdukurve gjatë luftës, ndërsa ka shtuar se ka ngecje edhe në evidentimin dhe dënimin e kriminelëve.

Ai ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se Kosova e ka humbur hapin në dënimin e kriminelëve, duke theksuar se identifikimi i tyre ka marrë shumë kohë.

“Politikanët kanë ngecur që s’e kanë iniciuar procesin e identifikimit të krimeve të luftës me kohë. Ne e humbëm hapin, qe 25 vjet shumë pak aktakuza rreth krimeve të luftës... Rasti i masakrës te Jasharët është dashur të zbardhet i pari, ekspertizat mjekësore tregojnë se aty (në Prekaz) u bë krim. Dihet komplet urdhri komandues. Serbët kanë bërë kanibalizëm në familjen Jashari”, ka thënë Grajqevci.

Sipas tij, sulmi te Jasharët ka qenë lehtë i identifikueshëm pasi “janë ditur të gjitha”. Grajqevci ka theksuar se është problematik edhe mosbashkëpunimi i palës serbe në gjetjen e varrezave masive në Serbi.

Sipas tij, Serbia i di të gjitha masakrat.

“Tribunali i Hagës i ka bërë 400 vendmasakra që në bazë të proceseve kërkojnë hetime shtesë. Gjykata jonë s’është marrë me këtë çështje. Është e pakëndshme si për familjarët ashtu edhe për ne, s’është bërë sa duhet as nga ne. Askush s’na ka penguar që t’i hulumtojmë, por të gjithë e kanë dashur kolltukun. Në Kosovë janë rreth 22 gërmime, në 7-8 prej tyre ka pasur mbetje mortore, e në të tjerat s’janë gjetur...Sa i përket çështjeve të varrezave masive, Serbia s’është bashkëpunuese...Njerëzit tanë janë marrë të gjallë ose të vdekur, e dimë rrugëtimin e tyre, por s’e dimë vendndodhjen e tyre. Atë më mirë e di shteti kriminal serb”, ka shtuar drejtuesi i Këshillit për krimet e luftës.

Edhe Të vrarët në luftë kanë emra, por shteti s’i di Arbëri Të vrarët në luftë kanë emra, por shteti s’i di

Grajqevci ka deklaruar se as Evropa duket se “nuk është e interesuar për zbardhjen e krimeve”, por vetëm për arritjen e pajtimit. Pajtimi, sipas tij, arrihet vetëm kur fajtori kërkon falje.

“Pajtimin se bëjmë ne, e bën fajtori duke kërkuar falje. Ne e falim ose jo. Ajo (Serbia) edhe të vret edhe s’të kërkon falje. Thotë ‘unë s’kam bërë asgjë’...Lajçaku (i dërguari i BE-së për dialogun v.j.)luan si të dojë, njerëzit tanë janë takuar edhe me Lajçakun që kjo çështje të jetë në rend të parë. Absolutisht s’ka dhënë asnjë shpresë, Evropa s’është e interesuar për personat e zhdukur”, ka theksuar ai.

Drejtuesi i Këshillit Koordinues për të zhdukurit ka shtuar se pasluftës UNMIK-u i kishte marrë dosjet që i dokumentonin krimet e Serbisë në Kosovë, por s’dihet nëse i ka kthyer.