Më shumë se dy dekada pas luftës në Kosovë, familjarët ende kërkojnë 1621 të afërm të tyre që u zhdukën dhunshëm nga regjimi serb.
Familjarët nuk presin që të realizohet një marrëveshje me Serbinë që mund t’u ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë.
Kryetari i Këshillit Koordinues për të Zhdukurit, Ahmet Grajçevci, ka thënë në Interaktiv se Serbia nuk do ta pranojë një marrëveshje që ndihmon në zbardhje të krimit.
“Kemi të bëjmë me një shtet që është jashtëzakonisht i papërshtatshëm për bisedime pasi gjithherë me gënjeshtra, me trillime ulet në bisedime dhe jemi skeptikë që mund të arrihet në marrëveshje. Edhe nëse nuk arrihet, nuk mund të arrihet një marrëveshje finale pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Kur ajo marrëveshje arrihet pa zbardhje, Serbia kështu do ta fshehë këtë krim. Jemi skeptikë që do të arrihet diçka sepse duke pa krerët e institucioneve serbe, duke i kërcënuar dëshmitarët për tregimet e vendvarrezave, jemi skeptikë sepse ata e kanë kryer çdo gjë në mënyrë komanduese”, tha ai.
Grajçevci u shpreh skeptik edhe se Serbia do të pranojë të hapë arkivat e saj për Kosovën.
Edhe
Politizimi dhe mungesa e bashkëpunimit të Serbisë pengojnë zbardhjen e fatit të të zhdukurve
“I takon bashkësisë ndërkombëtare të bëj presion ndaj Serbisë. Serbia çdo gjë e ka të identifikuar në arkivat e saj. Nuk besoj se do të na japë qasje në arkiva për krimet që i ka kryer”.
Sipas tij, asnjë qeveri deri më sot nuk ka bërë mjaftueshëm për procesin e zbardhjes së fatit të të pagjeturve. Tha se në qershor u ishte premtuar nga kryeministri Albin Kurti se do të riaktivizohej Instituti për Krime Lufte, por që një gjë e tillë nuk është bërë.
“Qeveria Kurti na ka premtuar që në qershor do riaktivizohet instituti por më duket se ka harruar. Jo nuk kemi diskutuar, se kemi pritur që shumë prej atyre kërkesave që janë bërë, edhe instituti të përfundojë në qershor. Shpresoj që pas kthimit nga Brukseli, do bisedojmë prapë që kur do riaktivizohet prapë ai institut. Ai institut ka qenë i domosdoshëm”.
Grajçevci ka thënë se po neglizhohen nga institucionet e Kosovës, edhe pse Këshilli mban shumë dëshmi të krimeve serbe.
“Nuk kemi ndonjë ndihmë financiare nga qeveria sepse jemi dora e djathtë që mund t’i ndihmojmë qeverisë, por ne punojmë në suaza vullnetare që aq sa mundemi dhe aq sa dimë. Kemi në sirtarët tanë dëshmi të mjaftueshme për t’iu qasur atyre që kanë kryer krime, por sikur është e neglizhuar edhe nga drejtësia. Ne për një parullë ‘Kosova Republikë’ i kemi marrë 8 vjet burg, kurse krimineli për një viktimë apo dhjetë merr 8 vjet burg. Ose duhet të kthehet instituti për krime lufte, të riaktivizohet, të koordinohemi të gjithë akterët që merremi me këtë proces, por drejtësia duhet ta thotë fjalën e fundit”.
Ai ka treguar edhe për kërkesat që kanë familjarët e të zhdukurve e që sipas tij nuk janë realizuar asnjëherë prej qeverive.
Edhe
Kurti: E vërteta për masakrat në Kosovë, e mbyllur në arkivat e Serbisë
“Kërkesat e familjarëve janë të shumta, sepse asnjëra nuk është e realizuar. Nuk janë realizuar pensionet e familjarëve, kemi kërkuar të formohet një muze ku do ruhen gjësendet e personave, që ende nuk ka asgjë. Kemi kërkuar të rritet numri i policëve për hetuesinë e krimeve të luftës. Sa i kushton kjo shtetit ne fare nuk na intereson, ne na intereson kryesit e krimeve të dënohen. Kemi kërkuar një memorial. Asnjë qeveri nuk e ka dhënë kontributin e vet”.
Grajçevci theksoi se pa zbardhjen e të vërtetës, nuk mund të arrihet paqja.
Grajçevci tha se problemi që nuk po zbardhet fati i qindra të zhdukurve dhunshëm gjatë luftës është politik, e që Serbia e përdorë si i duhet.
“Problemi i gjithë kësaj është politikë, nuk është humane, sepse po të ishte do të ishte zgjidhë moti. Çdo herë që Serbisë i duhet diçka, t’i sjellë një tubë eshtra. Tash Serbia e ka problem me vetveten si do t’i tregoj, sepse dyshohet se janë 11 varreza masive në Serbi. Prej gushtit 2021 nuk e kemi më asnjë raport që është zbuluar apo identifikim të ri. Është mungesë e ekspertëve tonë atje”, tha ai.
Ndërkaq, foli edhe për padinë për gjenocid ndaj Serbisë që ishte përmendur nga Kurti. Grajçevci tha se institucionet nuk i kanë përgatitur në tërësi dëshmitë për krimet dhe si e tillë Kosova është vështirë të dorëzojë padi.
Edhe
BE-ja dhe Serbia fajësohen për mosadresimin e çështjes së të pagjeturve
Ai tha se problemi qëndron te dosja e krimeve për të cilën nuk kanë punuar institucionet e vendit sa duhet.
“Kurti këtë e ka menduar mirë që Serbia duhet të paditet për krim dhe gjenocid, për dëmet e luftës. Por, a jemi gati në tërësi për të gjitha këto. Nuk mund ta paditim Serbinë pjesë-pjesë, por duhet të dihet çdo gjë e saktë. Për ta paditë, duhet t’i përgatitë 100 milionë deri t’i grumbullon të gjitha në sirtarë dhe pastaj ta padisë. Problemi është te dosja. Nuk kanë qenë të interesuar t’i grahin këtij procesi, ta shtyjnë si duhet mbarë e mirë. Për viktimat, mund ta paditë sepse i ka të grumbulluara. Nuk është punuar në tërësi sa duhet sepse nuk kanë ndarë mjete, nuk e kanë organizuar punën si duhet, asnjë qeveri”.