Arbëri

Sadiku për LDK-në: Është komplet e rrënuar përbrenda

naim sadiku

Sipas analistit Naim Sadiku, Lidhja Demokratike e Kosovës është e rrënuar përbrenda.

Sadiku ka thënë se si në opozitë apo me një mundësi bashkëpunimi me Vetëvendosjen në pushtet, LDK-ja do ta ketë të vështirë të rritet.

“Në secilën situatë, LDK-ja është në një pozicion tepër të vështirë, vazhdimi në opozitë vec e rrënon këtë parti, por edhe bashkëngjitja si patericë e VV-së në pushtet, sepse fare pak rol do të ketë, edhe një koalicion do jetë pothuajse inekzistent në aspektin e entuziazmit që do krijonte te struktura e këtij subjekti”, ka thënë ai.

Sadiku ka theksuar se LDK-ja është dëmtuar më shumë nga brenda sesa nga sulmet nga jashtë.

“LDK-ja më së shumti është rrënuar nga brenda sesa nga sulmet e jashtme dhe do jetë i vështirë përbashkimi i krejt pakënaqësive që janë brenda strukturave të LDK-së”.


Morina për marrëveshjen e Ohrit: Opinioni është i mashtruar

Opinionisti Idriz Morina ka vlerësuar se opinioni publik në Kosovë është i keqinformuar dhe i mashtruar lidhur me Marrëveshjen e Ohrit, duke fajësuar partitë opozitare për mungesë sqarimi dhe Lëvizjen Vetëvendosje për, siç tha ai, propagandë agresive dhe dezinformuese.

Sipas Morinës, ndikimi kryesor në zgjedhje nuk ka qenë vetëm kryeministri në detyrë Albin Kurti, por propaganda e VV-së ndaj partive të tjera, e cila, sipas tij, ka shtrembëruar realitetin për çështje të ndjeshme në mënyrë të papërgjegjshme.

“Partitë opozitare nuk kanë arritur ta shpjegojnë propagandën dezinformuese të Lëvizjes Vetëvendosje. Më shumë se sa Albin Kurti, në këto zgjedhje ka ndikuar propaganda agresive e VV-së”, ka deklaruar Morina në “Konfront” të KTV-së.

Ai ka theksuar se opozita ka dështuar të shpjegojë përmbajtjen dhe pasojat e Marrëveshjes së Ohrit, duke shtuar se nga reagimet që ka parë, qytetarët nuk janë të vetëdijshëm për dëmet që, sipas tij, kjo marrëveshje mund t’i sjellë Kosovës.

“Masa nuk e di se është bërë një marrëveshje e keqe për Kosovën. Opinioni është i mashtruar. Nuk besojnë se ka marrëveshje, nuk besojnë se Albin Kurti do ta realizojë atë marrëveshje dhe mendojnë se ai nuk ka gabuar asgjë”, ka theksuar ai.


Luzha: Me gjithë kandidaturat tjera, LDK-ja s'mendoi se duhet ndërruar lojtari

Analistja politike Besa Luzha ka thënë se rizgjedhja e Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së mund të jetë bërë për shkak të situatës politike në të cilën ndodhet vendi.

Luzha në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se anëtarët e Kuvendit të LDK-së e kanë parë Abdixhikun si zgjidhje më të mirë deri në themelimin e institucioneve të Kosovës, veçanërisht kur ndodhemi në procesin e zgjedhjes së presidentit.

“Procesi i përzgjedhjes nuk ka pasur ndonjë parregullsi. Mund ta kenë menduar që nuk është koha për ndryshim shumë të madh meqenëse edhe jemi në fazën e përzgjedhjes së presidentit. Pa marrë parasysh se ka pasur edhe kandidatura të tjera Abdixhiku ka pasur më së shumti vota në LDK. Ndoshta të gjithë së bashku kanë vendosur që për këtë është më mirë të vazhdohet përsëri me Abdixhikun deri në themelimin e institucioneve”, ka thënë Luzha.

Analistja Luzha ka vlerësuar gjithashtu se në kandidaturat e reja për udhëheqjen e LDK-së ka ndikuar edhe faktori kohë. Sipas saj, pas rezultateve të kësaj partie në zgjedhjet e 28 dhjetorit ishte kohë e shkurtër për përgatitjen e ndonjë figure tjetër që do mund të ishte kandidat/e.

“Nga jashtë ne që e pamë është dukur se në këtë kohë të ngutshme nuk pati personalitete që do ta kishin atë bagazhin për udhëheqjen e LDK-së. E kemi parë vetëm kandidaturën e Avdullah Hotit. Nuk po them që Abdixhiku është zgjidhja më e mirë por ndonjëherë në këto rrethana shkohet me idenë që të vazhdohet më të njëjtin e pastaj shohim e ndërrojmë”, ka thënë Luzha.

Luzha ka vlerësuar po ashtu se në rrethanat aktuale Lëvizja Vetëvendosje nuk ka nevojë për LDK-në por megjithatë sipas saj një gjë e tillë nuk e ndalon LDK-në të jetë opozitë aktive e konstruktive.

“Tash jemi në rrethana të tjera sepse tash nuk është nevoja që Lëvizja Vetëvendosje ta ketë në krahë të saj LDK-në. Nëse LDK-ja konsideron që është parti institucionaliste atëherë ta shikojë interesin e  progresin e shtetit edhe në politikën e jashtme edhe të brendshme dhe ajo mund të bëhet edhe duke qenë opozitë e mirë, aktive dhe konstruktive. Nganjëherë po krijohet përshtypja që vetëm duke qenë në qeverisje mund të ndikosh e të votosh për çështje, por kush i ndalon partitë opozitare që të votojnë disa marrëveshje që janë të rëndësishme”, ka thënë Luzha.

Sipas Luzhës, marrëveshjet politike nuk duhet të lidhen vetëm me poste sepse një opozitë e mirë mund të kushtëzojë për ligje e marrëveshje në të mirë të qytetarëve.


Grainca për Kuvendin e LDK-së: Dorëheqjet nuk votohen

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Blerim Grainca, ka vlerësuar se mbajtja e Kuvendit të LDK-së mbi dorëheqjen e kryetarit të saj nxjerr një numër pikëpyetjesh.

Ai ka theksuar se megjithëse procesi ishte demokratik, më shumë u duk si “improvizim i çastit”.

Grainca ka theksuar se dorëheqja nuk votohet, ajo jepet si akt moral dhe më pas pranohet.

“Ky Kuvend i LDK-së u mbajt në kushte jonormale për LDK-në, ishte i domosdoshëm si rezultat i rezultatit dhe kërkesës nga anëtarësia e LDK-së. Si proces ishte demokratik por nëse hyjmë në debate aty lindin një numër dilemash... Nuk kam qenë dakord me p[yetjen që u shtrua, sepse dorëheqjet nuk votohen. Dorëheqja është akt moral dhe si e tillë pranohet nga Kuvendi dhe vazhdohet tutje”, ka thënë ai.

Kuvendi i Lidhjes Demokratike më 31 shkurt nuk ia ka miratuar dorëheqjen kryetarit Lumir Abdixhiku. Kundër dorëheqjes që ia paraqiti Kuvendit, votuan 164 delegatë, ndërsa për 136, një raport përqindjeje 54.7 me 45.3.