Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Graçanica harxhon rreth gjysmë milioni euro për pagesa të dhunshme

Komunarët e Graçanicës janë detyruar t’u japin një shumë goxha të madhe të parave operatorëve ekonomikë gjatë vitit 2017. Janë rreth gjysmë milioni euro që i kanë harxhuar për pagesa të dhunshme. Në raportin financiar të vitit të kaluar, në të cilën i është lejuar qasje gazetës, shihet se më së shumti i janë detyruar kompanisë “Pastrimi”.

“Në Komunën e Graçanicës në vitin 2017 janë kryer pagesat e detyrueshme si në vijim: Mbeturinat në një shumë prej 122,662.54 euro E.O. ‘Pastrimi’, servisimi i automjeteve në një shumë prej 10,217 euro E.O. AGS, furnizim me ushqim dhe pije dhe mjete për higjienë në një shumë prej 11,845.77 euro E.O. Dobratin, DDD mbrojtja në një shumë prej 39,726.78 euro E.O. EKO SAN, uji në një shumë prej 105,583.05 euro E.O. KUR Prishtina”, thuhet në raportin financiar 2017 të Komunës së Graçanicës. “Furnizim me karburant në një shumë prej 26,590.31 euro E.O. HIB Petrol, mirëmbajtja dimërore e rrugëve në një shumë prej 88,232.42 euro E.O. URB-PRO, furnizim me inventar në një shumë prej 8,325 euro E.O. Standard Plus, furnizim me lule 13,480 euro E.O. Las Palmas, furnizim me dru, qymyrguri dhe pelet 35,285 euro E.O. Agoniti, materiali ndërtimor në një shumë prej 28,903.37 euro E.O. Beni Construction”.

Gjithsej pagesa të dhunshme sipas nenit 39.2 të LMFPP janë 490 mijë e 851 euro.

Shuma të mëdha janë edhe për shërbime komunale. Gjatë vitit 2017 komunarët e Graçanicës kanë shpenzuar 44 mijë e 570 euro për karburant për automjete, 27 mijë e 310 euro për regjistrimin e automjeteve, 39 mijë euro tjera janë harxhuar për mirëmbajtjen dhe riparimin e tyre, ndërkohë që nuk kanë paraqitur asnjë shumë për sigurimin e tyre. Keq nuk i kanë lënë as drekat zyrtare. Komuna e Graçanicës gjatë vitit të kaluar kanë harxhuar 47 mijë e 320 euro për dreka zyrtare. Gjithsej për mallra dhe shërbime janë harxhuar 774 mijë e 510 euro.

Në vitin 2017 zyrtarët komunalë të Graçanicës kanë harxhuar 123 mijë e 590 euro për rrymë, 15 mijë e 920 euro për ujë, ndërsa nuk figuron asnjë cent për mbeturina. Shumë simbolike është shënuar për shpenzime telefonike (fikse), ndërsa gjithsej për shërbime komunale janë harxhuar 139 mijë e 700 euro.

Edhe Graçanica me rreth 300 mijë euro pagesa të dhunshme Arbëri Graçanica me rreth 300 mijë euro pagesa të dhunshme

Te investimet kapitale është futur edhe një kod “Automjetet zyrtare” për të cilat janë shpenzuar 253 mijë e 610 euro. Gjithsej për shpenzime kapitale janë harxhuar 2 milionë e 894 mijë euro.

© KOHA Ditore