Arbëri

GLPS: Qeveria në largim mori 30 vendime të kundërligjshme

GLPS

Foto: Driton Paçarada

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka vlerësuar se Qeveria në largim, nga dita e zgjedhjeve më 9 shkurt e deri sot ka marrë 30 vendime të kundërligjshme.

Sipas GLPS-së, nga 9 shkurti e deri më 27 mars kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi emrat e deputetëve, Qeveria Kurti 2 ka mbajtur shtatë mbledhje dhe ka marrë 76 vendime. Kjo organizatë ka vlerësuar se nga këto vendime, 13 kanë qenë të kundërligjshme. GLPS-ja ka thënë se këto vendime tejkalojnë kufizimet në Ligjin për Qeverinë.

“Vendimet e kundërligjshme i përkasin natyrës së inicimit të procedurave të reja për emërimin në pozitat publike, për emërimin e të cilave është kompetente në bazë të ligjeve, përfshirë por duke mos u kufizuar në themelimin e komisioneve ad-hoc për pozitat: Kryeinspektor Shëndetësor në Inspektoratin Shëndetësor; Drejtor i Përgjithshëm në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Kosovës për Administratë Publike, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Drejtor i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Shoqërinë e Informacionit, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë. Po ashtu, GLPS si të kundërligjshme i konsideron edhe vendimet me të cilat Qeveria në largim, pavarësisht kufizimeve, i ka marrë lidhur me miratimin e koncept-dokumenteve dhe strategjive, të tilla si: Dokumenti Strategjik dhe Plani i Veprimit për Ndërhyrjen në Fëmijërinë e Hershme - NFH (early childhood intervention-eci) 2025-2030, Koncept-dokumenti për Shëndetin e Bimëve, Koncept-dokumenti për Bujqësi Organike etj”, thuhet në komunikatë.

E që nga 27 marsi kur u certifikuan emrat e deputetëve, sipas GLPS-së janë mbajtur tri mbledhje të Qeverisë me zyrtarë që ishin edhe me post ekzekutiv (ministra), por edhe ishin certifikuar si deputetë. Në këto mbledhje janë marrë 17 vendime, dhe sipas GLPS-së, të gjitha janë në kundërshtim me Kushtetutën.

GLPS-ja ka rekomanduar që mos të merren më vendime me përbërjen aktuale të kabinetit qeveritar. Kjo organizatë ka rekomanduar që secili vendim të merret me përbërje legjitime.

Lidhja Demokratike e Kosovës më 8 maj ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal ndaj kryeministrit Albin Kurtit dhe anëtarëve të qeverisë në detyrë, që ishin zgjedhur edhe deputetë.