BETIMI PËR DREJTËSI

Qeverisja Kurti në konflikt interesi

Qeveria Kurti në konflikt interesi, ministrat në detyrë dhe vetë Kryeministri po mbajnë edhe pozitën e deputetit

Sa në Kuvend, e sa në Qeveri, Kryeministri në detyrë dhe pothuajse gjithë ministrat e Qeverisë Kurti 2 ushtrojnë njëkohësisht pushtet ekzekutiv dhe legjislativ, duke mos lënë karriget bosh në asnjërën.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Kryeministri në detyrë dhe ministrat në detyrë të zgjedhur deputetë po shkelin parimin e ndarjes së pushteteve dhe integritetin e funksioneve publike, duke ushtruar njëkohësisht pushtetin ekzekutiv dhe atë legjislativ. E gjithë kjo është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë, i cili nuk lejon mbajtjen e dy karrigeve, asnjërën prej të cilave nuk e lëshojnë Kryeministri Kurti dhe shumica e ministrave të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më 9 shkurt 2025, qytetarët e Republikës së Kosovës dolën në kutitë e votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre politikë në Kuvendin e Kosovës.

Përgjatë gjithë fushatës parazgjedhore, partitë politike, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje që ishte në pushtet në katër vitet e fundit, premtuan luftë kundër korrupsionit, qeverisje të mirë, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik e social dhe integrime evropiane. LVV, në zotimet dhe programet e reja në Qeverinë Kurti 3, kishte premtuar se do të kujdesej për më shumë siguri, drejtësi e barazi, dhe për më pak krim, korrupsion e varfëri.

Kur kanë kaluar mbi 200 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve, partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës ende nuk kanë arritur të konstituojnë Kuvendin. Për këtë arsye, procesi i formimit të qeverisë së re ende nuk ka filluar. Nga data 23 mars, Kosova ka vetëm Qeveri në detyrë.

Kuvendit iu janë dashur 152 ditë për të zgjedhur kryeparlamentarin nga data e certifikimit të zgjedhjeve.

E nga koha e certifikimit të zgjedhjeve deri më sot, Kryeministri në detyrë dhe shumica e ministrave në detyrë janë duke ushtruar edhe pozitën e deputetit, në shkelje të ligjit, edhe përkundër premtimeve të tyre për sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë. Kur këtë kundërligjshmëri e konfirmoi Gjykata Supreme, Qeveria nuk respektoi standardin e vendosur në vendimin e kësaj gjykate, por iu vërsul gjyqtarëve të saj, duke shkelur kështu ndarjen e pushteteve dhe duke mos përmbushur rekomandimet për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Në këtë situatë, kur Qeveria nuk shpreh vullnet ta zbatojë ligjin dhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme, qytetarët nuk janë të informuar se çfarë ka bërë Prokuroria e Shtetit.

Mbajtja e dy pozitave njëkohësisht, asaj në pushtetin ekzekutiv si ministër në detyrë dhe asaj legjislative si deputet, është në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë, të sponsorizuar nga Qeveria Kurti 2 dhe miratuar nga Kuvendi i Kosovës në legjislaturën e VIII, kur LVV kishte shumicën parlamentare.

Projektligji për Qeverinë ishte miratuar më 29 dhjetor 2021 në mbledhjen e 52-të të Qeverisë. Përderisa, i njëjti projektligj ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës më 27 tetor 2022 dhe kishte hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2022.

Por, çfarë thotë ky ligj i sponsorizuar nga Qeveria e LVV-së në lidhje me përfundimin e mandatit të anëtarëve të qeverisë?

Neni 26 i këtij ligji përcakton parimet lidhur me papajtueshmërinë me funksionin e anëtarit të Qeverisë dhe parandalimin e konfliktit të interesit.

Ky nen përcakton se në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Sipas këtij ligji, anëtarët e Qeverisë nuk mund të ushtrojnë asnjë funksion tjetër publik, përveç nëse është pjesë e detyrave zyrtare, siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi.

Edhe përkundër faktit se ky ligj ishte sponsorizuar nga vetë Qeveria Kurti 2, Albin Kurti dhe qeveria e tij në detyrë, siç duket, nuk e respektojnë dhe zbatojnë të njëjtin në praktikë. Për më tepër, Albin Kurti, tashmë i betuar si deputet, i cili po mban edhe rolin e Kryeministrit në detyrë, bashkë me 16 deputetë të tjerë që po mbajnë role të dyfishta – atë të ministrave dhe zëvendësministrave në ministri.

Hekuran Murati, si ministër në Ministrinë e Financave, Punëve dhe Transfereve; Xhelal Sveçla në Ministrinë e Punëve të Brendshme; Arbërie Nagavci në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; Artane Rizvanolli në Ministrinë e Ekonomisë; Donika Gërvalla-Schwarz në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës; Rozeta Hajdari në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë; Hajrulla Çeku në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport; Ejup Maqedonci në Ministrinë e Mbrojtjes; Arben Vitia në Ministrinë e Shëndetësisë; Faton Peci në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural; Elbert Kransiqi në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal; Fikrim Damka në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal; Nenad Rasiç në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim; dhe Albulena Haxhiu në Ministrinë e Drejtësisë, e cila u lirua nga detyra vetëm pasi u bë nënkryetare e Kuvendit. Deputetja Liza Gashi vazhdon të mbajë postin e zëvendësministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Emilja Redzepi e ka mbajtur postin e Zëvendëskryeministres deri kur është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit.

Pse ushtrimi i funksioneve ekzekutive dhe legjislative njëkohësisht është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, sipas Gjykatës Supreme?

Gjykata Supreme, më 7 korrik 2025, kishte lëshuar aktgjykim lidhur me kërkesëpadinë e paditësve “Enternet Sh.p.k” me seli në Rrafshin e Kosovës dhe “Konsorciumi Service Global” me seli në Prishtinë, e paraqitur kundër të paditurës: Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT).

Gjykata Supreme kishte shpallur të paligjshëm dhe kishte shfuqizuar Udhëzimin Administrativ (MFPT) nr.01/2025 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë, të publikuar në Gazetën Zyrtare më datë 16.04.2025.

Po pse Gjykata Supreme kishte shfuqizuar këtë udhëzim administrativ?

Sipas Supremes, pretendimi se udhëzimi administrativ është në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe kushtetuese është i bazuar. Kjo, pasi nenet 28 dhe 29 të Ligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës përcaktojnë se mandati i Qeverisë përfundon me përfundimin e mandatit katërvjeçar të Kuvendit, si dhe se mandati i anëtarëve të Qeverisë përfundon në rast të zgjedhjes së tyre si deputetë të Kuvendit.

Gjykata vlerëson se ministri në detyrë, përgjegjës për nënshkrimin e aktit nënligjor normativ të kontestuar, i ka përfunduar mandati dhe përkatësisht ka qenë ministër në dorëheqje në momentin e nënshkrimit, përkatësisht publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, në referim të kufizimeve të përcaktuara me nenin 31 të ligjit në fjalë, Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja.

Për gjykatën ishte i pakontestueshëm fakti se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve, më datë 27.03.2025, ministri i MFPT-së, Hekuran Murati, figuron si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Gjykata Supreme theksoi se, sipas nenit 72 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Fillimisht, Supremja në aktgjykim gabimisht kishte përmendur nenin 71, por, përmes aktvendimit të 18 korrikut, ka korrigjuar aktgjykimin duke thënë se bëhet fjalë për nenin 72 të Kushtetutës.

Për pasojë, nxjerrja e udhëzimit administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese. Në të njëjtën kohë, udhëzimi administrativ është nxjerrë pa miratimin e Qeverisë, në shkelje të nenit 11 të Ligjit për Qeverinë, i cili përcakton kompetencat e ministrive për propozimin e akteve nënligjore normative me karakter të përgjithshëm për miratim nga ana e Qeverisë.

Ministri i Financave ka qenë në pozitë të papajtueshme funksionale në kohën e nënshkrimit, duke qenë i certifikuar si deputet, në shkelje të neneve 70.2 dhe 72 të Kushtetutës, të cilat ndalojnë ushtrimin paralel të funksioneve ekzekutive dhe legjislative, si dhe parimin e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve të përcaktuar në Kushtetutë.

Gjykata nuk ka arsyetuar pretendimet e tjera, duke konsideruar se mungesa e autorizimit ligjor në rastin konkret, si dhe konflikti i interesit për nënshkrimin e një akti nënligjor normativ, për arsyet e lartëtheksuara, ishin të mjaftueshme për aprovimin e kërkesëpadisë së paditësve, shpalljen e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e tij.

Ish-kryetari i Supremes: S’ka dilemë që deputetët e zgjedhur nuk mund të ushtrojnë postet në Qeverinë në detyrë

Bazuar në standardin që ka vendosur aktgjykimi i Gjykatës Supreme, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministrat dhe zëvendësministrat në detyrë të zgjedhur deputetë po shkelin parimin e ndarjes së pushteteve dhe integritetin e funksioneve publike duke ushtruar njëkohësisht pushtetin ekzekutiv dhe atë legjislativ.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme dhe profesori universitar, Fejzullah Hasani, thotë se mbajtja e pozitave në Qeveri është e kundërligjshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ligji mbi Qeverinë e ka përcaktu në mënyrë të qartë këto situata që ju po i referoheni. Në momentin kur Presidentja shpallë zgjedhjet, shpërbëhet parlamenti, Qeveria aktuale mbetet në detyrë se dikush duhet me i kry punët, do të thotë mbetet në detyrë. Mirëpo, neni 26 i Ligjit mbi Qeverinë e thotë qartë, e thotë nëse dikush nga anëtarët e Qeverisë së përkohshme ndërkohë zgjidhet deputet, thotë ai duhet të japë dorëheqje nga pozitat ekzekutive që i mban para certifikimit të zgjedhjeve, do të thotë para se me dhënë betimin si deputet, ai duhet të japë dorëheqje”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse ai ka qenë në këtë qeverinë e përkohshme dhe nuk ka dhënë dorëheqje, ai është në funksion në kundërshtim me ligjin.

“Aty s’ka asnjë fije dileme që ai nuk mund t’i ushtrojë dy pozita njëkohësisht”, ka thënë Hasani.

Por, ndryshe arsyeton këshilltarja ligjore e Qeverisë në detyrë, Tea Blakaj.

“Ligji për Qeverinë, neni 31 i parasheh kompetencat e Qeverisë në dorëheqje çfarë është kjo Qeveri prej momentit kur i ka skaduar mandati Kuvendit ashtu siç e keni lexuar edhe ju, siç ka thënë edhe Gjykata Supreme. Mirëpo, Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet e saj e ka bërë të qartë në rastin e Qeverisë Hoti, që Qeveria në detyrë apo në dorëheqje mbetet e tillë deri në momentin e zgjidhjes së një Qeverie të re. Tash çka thotë ky neni 31 i Ligjit për Qeverinë, thotë që Qeveria që është në dorëheqje nuk mund të nxjerrë politika të reja në formë ligjesh, në formë marrëveshjesh ndërkombëtare të cilat e kërkojnë miratimin e Parlamentit, për ta parandaluar konfliktin e interesit”, ka thënë Blakaj.

Blakaj ka shtuar se mospërputhshmëria e qëndrimeve të tyre me ato të Gjykatës Supreme, kur ka shfuqizuar udhëzimin administrativ të nxjerrë nga ministri në detyrë, tashmë deputet, Hekuran Murati, është te ajo që sipas tyre udhëzimet administrative dhe rregulloret janë akte nënligjore të cilat derivojnë prej ligjit.

“Ato e mundësojnë zbatimin e ligjit, ato e mundësojnë kryerjen e një shërbimi ndaj qytetarit që është detyrë parësore e qeverisë dhe këtë e bënë përmes politikave të saj të cilat parashihen përmes ligjeve, akteve nënligjore etj.”, ka arsyetuar ajo.

Sipas Gzim Shalës nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, papajtueshmëria në këtë rast është e qartë dhe argumentet e Qeverisë janë tërësisht jo valide.

“Papajtueshmëria si koncept synon që ta ndaloj që anëtarët e legjislativit, në rastin konkret një deputet, që të ushtrojë edhe pushtet ekzekutiv në Qeveri. Në sistemin, do të thotë si Kosova, institucioni që e mbikëqyrë Qeverinë është Kuvendi dhe definitivisht që nuk ka sens që i njëjti anëtar të jetë edhe në institucionin mbikëqyrës në Kuvend edhe në institucionin e mbikëqyrur që është Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë Shala.

Sa i përket Ligjit për Qeverinë, Shala ka shtuar se ky ligj është sponsorizuar nga kjo qeveri dhe është miratuar në kohën kur e njëjta ka pasur shumicën parlamentare.

“Dhe ligji është i qartë, e qartëson këtë lloj papajtueshmërie, nuk duhet që të ngatërrohet koncepti i Qeverisë në detyrë si institucion me anëtarët e saj. Po, Qeveria në detyrë vazhdon, mbetet deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, mirëpo jo anëtarët e saj të cilët janë edhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Megjithatë, nuk kemi se çfarë të bëjmë debat në këtë çështje përderisa kemi një aktgjykim të qartë të Gjykatës Supreme e cila e ka qartësuar këtë situatë”, ka shtuar Shala.

Blakaj: Kryeministri në detyrë është i vetmi me legjitimitet, nuk mund të zëvendësohet

Gjykata Supreme, përmes aktgjykimit të 16 korrikut 2025, shpalli të paligjshëm dhe shfuqizoi Udhëzimin Administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë, i cili ishte publikuar në Gazetën Zyrtare më 16 prill, një ditë pasi ishte miratuar nga ministri në detyrë, Hekuran Murati.

Sipas Supremes, është “i pakontestueshëm fakti” se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve më 27 mars, ministri Murati figuron si deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Sipas nenit 72 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Për pasojë, nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”, konstatoi Supremja.

Tea Blakaj, këshilltare ligjore e Qeverisë Kurti 2, thotë se në rastin aktual, pothuajse të gjithë ministrat, përfshirë edhe Kryeministrin, e kanë fituar mandatin e deputetit.

“Gazetarja: Pse nuk kanë dhënë dorëheqje?
Blakaj: Jo, dorëheqja është dhënë sepse është kërkuar edhe pse me vetë fuqinë e ligjit…

Gazetarja: E pse nuk janë vendosur atëherë zëvendësuesit e tyre të parë?
Blakaj: Cilët zëvendësues të parë, a mundemi vetëm kështu me u dakordua, imagjinojeni skenarin ku të gjithë anëtarët e Qeverisë janë zgjedhur deputet, a mendoni që duhet të mbetet shteti pa Qeveri?

Gazetarja: A kanë zëvendësues këta persona në institucionet e tyre?
Blakaj: Aktualisht, në pozita të caktuara ka zëvendësministra. Mirëpo i vetmi person…

Gazetarja: Pse nuk janë vendosur zëvendësministrat, zëvendëskryeministri?
Blakaj: Për shkak që legjitimitetin e vetëm për të qenë kryeministër në detyrë e ka kryeministri aktual si Kryeministër i zgjedhur në zgjedhjet paraprake, i cili, po pajtohemi, e ka përfunduar mandatin e tij katërvjeçar. Por ai aktualisht është kryeministër në detyrë që nënkupton bën menaxhim ditor të Qeverisë, si i vetmi i cili ka legjitimitet, e me të i tërë kabineti i tij qeveritar.
Blakaj: Po, por kur nuk ka kryeministër, Qeveria bie edhe vetë sipas…

Gazetarja: A nuk do duhej të vendosej zëvendëskryeministri i parë në pozitën e tij?
Blakaj: Jo, sepse legjitimitetin, i vetmi që e ka legjitimitetin është kryeministri aktual për të shërbyer në detyrë. Ne nuk po themi që qëndron me mandat të plotë, që ka kompetenca të cilat i ka një qeveri fuqiplotë, kompetencat janë të limituara…”

Për këtë, Shala nga IKD thotë se Qeveria aktuale më nuk ka as legjitimitet e as legalitet.

“Legjitimiteti që përmendet në rastin konkret përfundon kur përfundon mandati i rregullt brenda të cilit është zgjedhur Qeveria, në rastin konkret do të thotë në momentin kur ka përfunduar ky mandat, më nuk ka legjitimitet as nga populli direkt po as direkt nga Kuvendi përmes të cilit është zgjedhur kjo Qeveri. Pra, në momentin kur ka përfunduar mandati katërvjeçar ka përfunduar legjitimiteti, ndërsa, nga Qeveri e rregullt është shndërruar në Qeveri në detyrë. Në momentin kur anëtarët e Qeverisë janë zgjedhur deputet, përpos legjitimitetit tani më atyre u ka përfunduar edhe legaliteti i qëndrimit në pozitat e tyre”, ka thënë ai.

Ish-Kryetari i Gjykatës Supreme dhe profesori universitar, Fejzullah Hasani, shpjegon se ata mund të zëvendësohen.

“Tani pyetja shtrohet, ‘po mirë kush do t’i zëvendësojë?’ Ka plot aty që mund të zëvendësohen, ka zv. ministra, do të thotë shkon ky se është zgjedhur deputet edhe zgjidhet tjetri, sepse punët duhet të kryhen, punët janë të domosdoshme dhe që duhet të kryhen. Qeveria në detyrë duhet të ekzistojë, mirëpo Ligji nuk iu lë mundësinë, në asnjë mënyrë, në asnjë variant, në asnjë alternativë që këta të jenë njëkohësisht deputetë dhe të ushtrojnë funksione ekzekutive”, ka thënë ai.

Këshilltarja ligjore Blakaj, zëvendësit i sheh si zëvendësim vetëm kur kryeministri apo ministrat janë në udhëtime zyrtare apo kanë ndonjë arsye tjetër.

Blakaj: Aktgjykimet, vetë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, e cila e interpreton mandatin kushtetues të ministrave, kanë thënë Qeveria mbetet në detyrë.
Gazetarja: Po, Qeveria, jo individët…
Blakaj: Po kush është Qeveria përveç kabinetit qeveritar që e ka emëruar Kryeministri, e ka zgjedhur Kuvendi.
Gazetarja: Përveç Kryeministrit, ministrave, janë edhe zëvendëskryeministrat, si dhe zëvendësministrat.
Blakaj: Po, nuk është ashtu, kabinetin qeveritar e përbëjnë kryeministri dhe ministrat, ministrat.
Gazetarja: Të cilët janë të zëvendësueshëm apo jo?
Blakaj: Nuk munden ata me qenë të zëvendësueshëm në kësi lloj rastesh, ata janë, p.sh. ministrat janë jashtë vendit, e autorizon zëvendësin e tij…”

Ndonëse Blakaj thotë se janë të pazëvendësueshëm, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas marrjes së postit të nënkryetares së Kuvendit, është zëvendësuar nga zëvendësi i saj, Blerim Sallahu.

“Albulena Haxhiu, tash pas konstituimit të Kuvendit është nënkryetare e Kuvendit, pikërisht për këtë arsyeje ajo më nuk mund të jetë ministre në detyrë, por ka qenë ministre në detyrë deri në momentin e zgjedhjes së saj nga Kuvendi”, është shprehur Blakaj.

“Deputetët që mbajnë pozita ministrore janë në paligjshmëri, çdo vendim i paligjshëm mund të përbëjë vepër penale”

Qeveria në detyrë, në krye me Albin Kurtin, së bashku me ministrat tjerë, vazhdon të ushtrojë pushtetin ekzekutiv dhe marrë vendime, edhe pse janë zgjedhur deputetë, gjë që bie në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.

Sipas ish-Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe profesorit universitar, Fejzullah Hasani, ndonëse disa vendime mund të mos bien direkt në domenin e veprave penale, nëse shkojnë në Gjykatë, fati i tyre është i parashikueshëm.

“Gjithë ata deputetë që nuk kanë dhënë dorëheqje duke qenë edhe anëtarë të Qeverisë në detyrë ndodhen në situata të paligjshme. Çdo veprim i tyre, çdo vendim i tyre është vendim i paligjshëm, sepse nuk kanë juridiksion dhe kompetencë për të marrë vendime të tilla. Nuk çdo vendim i paligjshëm mund të konsiderohet vepër penale; kjo është çështje për prokurorin, i cili duhet të vlerësojë nëse veprimi përbën shpërdorim të detyrës zyrtare”, tha Hasani.

Ai shton se ajo që po bëjnë deputetët që nuk japin dorëheqje, duke u mbuluar me pushtet, është arbitrarizëm.

“Ligji thotë se nëse zgjidheni deputetë, duhet të jepni dorëheqje para certifikimit, nëse jeni njëkohësisht pjesë e Qeverisë në detyrë. Edhe nëse nuk ka dimension penal, kjo është arbitrarizëm, sepse ligji nuk lejon të qëndroni në të njëjtën pozitë”, tha Hasani.

Gzim Shala nga IKD thekson se është e dhimbshme kur zyrtarët publik refuzojnë të zbatojnë vendimet e gjyqësorit, në këtë rast Gjykatës Supreme:

“Moszbatimi i vendimeve është e kundërta e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë. Një qasje e tillë e ndjekur nga Qeveria është mesazhi më i gabuar që mund t’u dërgohet qytetarëve, të cilët gjithashtu duhet të zbatojnë vendimet e gjykatave.”

Gjykata Supreme ka konstatuar qartë se nuk mund të jesh njëkohësisht deputet dhe të ushtroni pozita ekzekutive në detyrë. Tashmë, mbetet në dorën e Prokurorisë Speciale të hetojë të gjitha këto emërime në drejtorë dhe borde, si dhe ndarjen e miliona eurove nga persona që nuk do duhej të ishin në karriget e Qeverisë, e le më të marrin vendime.

Mbajtja e dy pozitave është e kundërligjshme dhe kundërkushtetuese, ndërsa Qeveria e quajti aktgjykimin e Supremes arbitrar

Pas konfirmimit të kundërkushtetutshmërisë dhe kundërligjshmërisë në mbajtjen e të dy pozitave nga Gjykata Supreme, i menjëhershëm ishte reagimi i Qeverisë në detyrë, që vendimin e Supremes e quajti “të pabazuar në ligj” dhe “arbitrar”.

Në këtë reagim, ndër të tjera u tha se vendimi është i “brishtë edhe në aspektin logjik dhe kushtetues për faktin se vetë ai e njeh ekzistencën dhe funksionimin e Qeverisë në detyrë, por njëkohësisht e mohon të drejtën e saj për të ushtruar një kompetencë që nuk është e ndaluar me ligj.

Sipas reagimit, kjo cenon parimin e sigurisë juridike dhe funksionimit të vazhdueshëm të institucioneve të ekzekutivit.

Përveç Qeverisë, edhe ministri në detyrë, Hekuran Murati, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, aktgjykimin e Supremes e kishte cilësuar “absurd” dhe duke i kritikuar me emër gjyqtarët e Supremes.

“Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit, dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale”, kishte shkruar ai.

Gjykata Supreme, me 16 korrik 2025, ka bërë një kundër-reagim të deklaratave të Qeverisë, të cilat i ka quajtur “ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit”.

“Reagimi i Qeverisë në detyrë përbën jo vetëm një keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes gjyqësore, por njëkohësisht një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit. Të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë, janë të obliguara ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Vendimet e Gjykatës Supreme janë të bazuara në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe si të tilla duhet të respektohen”, thuhet në reagim.

“Betimi për Drejtësi” ka ftuar në intervistë Kryetarin e Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepin, por në një përgjigje me shkrim nga zëdhënësja për media e kësaj gjykate, Antigona Uka, është thënë se Kryetari nuk ka çfarë të thotë më shumë se ajo çfarë përmban arsyetimi i vendimit.

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se edhe në këtë rast, sikurse në shumë raste të tjera, qeveria ndërhyu haptazi në gjyqësor. Sipas tij, kjo mënyrë e veprimit është në kundërshtim me rekomandimet e juristëve eminentë që kanë draftuar raportin për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës:

“Edhe këto deklarata janë vazhdën e ndërhyrjeve që kjo Qeveri i ka bërë në drejtim të sistemit të Drejtësisë dhe që fatkeqësisht deri më tani në njëfarë forme e ka arritur qëllimin e saj nëse mund të themi kështu, që të ulet besimi i publikut në sistemin e drejtësisë dhe të njolloset puna e sistemit të Drejtësisë”, është shprehur ai.

Sipas tij, kjo situatë, përveç që është ndërhyrje e pastër në sistemin e drejtësisë, po ashtu edhe minon rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Raporti i juristëve eminentë të përputhshmërisë të sistemit ligjor të Kosovës në standardet e Këshillit të Evropës ka rekomanduar specifikisht që të ruhet pavarësia e institucioneve të sistemit të drejtësisë, duke përfshirë edhe kritikat që minojnë besimin e publikut në këtë sistem, dhe Kosova është zotuar se do t’i përmbushë këto rekomandime. Këto veprime janë shkelje e këtyre obligimeve që tregojnë se përmbushja e tyre e afron Kosovën më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka shtuar ai.

Tea Blakaj, këshilltare ligjore e Qeverisë Kurti 2, nuk e konsideron problem komentimin e vendimit të Gjykatave.

“Jo, sepse vendimet, aktgjykimet, aktvendimet, çka do që sjellin tek ne Gjykatat e rregullta, ne mund të mos pajtohemi gjithë ditën dhe mund t’i komentojmë e kritikojmë, përderisa ato respektohen në fund nuk e ka asnjë lloj problemi, dhe unë mendoj që narrativa që vendimet e Gjykatave nuk mund të diskutohen apo të komentohen është tepër e dëmshme”, ka thënë ajo.

Lidhur me gjuhën e përdorur nga Qeveria, kishte reaguar edhe Ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav, i cili ishte shprehur se “Sulmet ndaj gjyqtarëve individualë dhe ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor janë të papranueshme”.

Këtë reagim e kishte mbështetur edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, duke thënë se “Sulme të tilla kundër gjyqtarëve dhe ndikimet politike në gjyqësor janë absolutisht të papranueshme”, dhe është gjëja e fundit që i nevojitet këtij vendi në këtë situatë të vështirë politike”.

Sipas një letre të publikuar në media, pas vendimit të Supremes, Zyra e BE-së në Kosovë i ka shkruar Kurtit se “Në përputhje me këtë aktgjykim dhe në interes të qëndrueshmërisë institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit, vizitorët e nivelit të lartë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një Qeveri me mandat të plotë.”

Kjo masë, thuhet se “thekson përkushtimin e BE-së ndaj sundimit të ligjit, llogaridhënies demokratike dhe integritetit institucional”.

“Përtej faktit që ekziston letra, ka pasur takime të cilat rregullisht janë publikuar. Ashtu siç e keni pa Sorensen, ndoshta para dy javësh”, ka thënë Blakaj.

Mirëpo, sipas webfaqes së Zyrës së Kryeministrit, takimi me emisarin e BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, ishte më 6 gusht 2025, ndërsa letra e dërguar e BE-së mban datën 8 gusht.

Po me këtë datë, Kurti në zyrën e tij kishte takuar ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Pas kësaj date, sipas webfaqes së Zyrës së Kryeministrit, nuk ka pasur takime me zyrtarë të BE-së.

Qeveria në detyrë merr vendime dhe emërime, Hasani: Prokuroria duhet të veprojë

Nga 1 prilli 2025 deri më 22 gusht 2025, Qeveria në detyrë, në krye me Albin Kurtin, ka mbajtur 13 mbledhje. Në këto mbledhje janë emëruar drejtorë, janë ndryshuar statute dhe janë ndarë miliona euro për projekte të ndryshme.

Qeveria në detyrë ka emëruar Këshillin Statistikor të Kosovës, Komitetin Ndërministror për shëndetin njerëzor, shtazor dhe mjedisor “Një Shëndet”, Drejtorin e Përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike, Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kosovare për Forenzikë, Drejtoreshën Ekzekutive në Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur, Drejtoreshën e Përgjithshme në Inspektoratin e Arsimit, Drejtoreshën Ekzekutive në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, dhe Kryeinspektorin në Inspektoratin Qendror të Shëndetësisë.

Në vazhdën e emërimeve, Ministria e Financave më 13 gusht 2025 njoftoi se Mentor Hyseni është emëruar Drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës pas përmbylljes së procedurës së rekrutimit. Hyseni ishte kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në 2019.

Ndërkaq, i është pezulluar marrëdhënia e punës Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.

Qeveria gjithashtu ka emëruar kryetarin dhe tre anëtarë të Bordit të Ndërmarrjes Publike, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren.

Sipas ish-Kryetarit të Supremes, Fejzullah Hasani, këto vendime bien në domenin e veprës penale.
“Prokuroria jo a mundet, por e ka detyrim ligjor për çdo veprim që konsideron se është vepër penale, që të fillojë procedurat e hetimeve ndaj çdo kujt që merr vendime të tilla. Nëse Prokurori vlerëson se vendimet e tilla të paligjshme po shpërdorojnë detyrën zyrtare për të sjellë favore të ndryshme – ta zëmë emërimi nëpër borde i personave të caktuar – sepse ligji thotë kushdo që shpërdor detyrën zyrtare duke i tejkaluar kompetencat, aty ka tejkalim të kompetencave. Zgjedhja e drejtoreve ose anëtarëve të bordeve është për të sjellë përfitime të tjetrit, sepse ai në atë pozitë po përfiton”, ka thënë Hasani.

Gzim Shala nga IKD shton se këto vendime janë lehtësisht të rrëzueshme në Gjykatë, por nuk ka mundësi që të gjitha këto vendime të atakohen në Gjykatë.
“Kjo situatë, kur kemi parasysh që këto vendime për shkak të mungesës së kompetencës janë të kundërligjshme dhe po merren, cenon rendin juridik, sepse në rend juridik futen vendime të cilat janë të kundërligjshme, dhe kjo definitivisht cenon sigurinë juridike në rendin juridik kosovar”, ka thënë ai.

“Tash, nuk është arsyetim të themi se të gjitha rastet mund të atakohen në Gjykatë. Ka shumë arsye pse këto raste nuk mund të shkojnë në Gjykatë: në disa raste nuk ka palë të interesit, disa raste kanë kosto të konsiderueshme financiare për t’u ndjekur çdo procedurë në Gjykatë, dhe nëse vazhdohet kështu, rendi juridik mbushet me vendime të kundërligjshme. Kjo është arsyeja pse funksionimi normal i rendit juridik në Kosovë cenohet përmes kësaj mënyre të veprimit”, ka shtuar ai.

Kallëzime penale ndaj Kurtit dhe ministrave në detyrë, këshilltarja e Qeverisë thotë se Prokuroria nuk mund të veprojë

Për mbajtjen e pozitave në kundërshtim me ligjin nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrat e zëvendësit e tyre, Lidhja Demokratike e Kosovës më 8 maj 2025 dorëzoi 17 kallëzime penale ndaj tyre.

Nga ana tjetër, këshilltarja e Qeverisë Kurti 2, Tea Blakaj, thotë se deri tani nuk është intervistuar askush nga prokuroria.

“Secili mund të bëjë kallëzim penal nëse mendon që një gjë e tillë është e drejtë. Mirëpo, prokuroria nuk mund të veprojë, sepse nuk është Gjykatë Kushtetuese që të konstatojë nëse mandati kushtetues si Kryeministër apo Ministër bie në kundërshtim me pozitën e deputetit”, ka thënë ajo.

Lidhur me pyetjen nëse është kontaktuar ndonjë nga ministrat, Blakaj tha se nuk ka dijeni për këtë.

Betimi për Drejtësi ka dërguar pyetje tek Prokuroria Speciale dhe ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, nëse ka nisur hetime për vendimet e Kryeministrit dhe ministrave në detyrë dhe monitorimin e vendimeve të Supremes, por nuk ka marrë përgjigje të plotë. Kryeprokurori Kelmendi ka thënë se është duke verifikuar nëse ka ndonjë rast të hapur.

Profesori Fejzullah Hasani shprehet se moszbatimi i vendimeve gjyqësore është vepër penale.
“Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës është vepër penale dhe është e paraparë në Kodin Penal. Kushdo mund t’i drejtohet Prokurorisë, por kjo e fundit ka detyrim ligjor të fillojë procedurën penale ndaj përgjegjësve kur mëson për shkelje të vendimeve të Gjykatës së rregullt dhe të formës së prerë”, tha ai.

Blakaj thotë se vendimi i Supremes po zbatohet, por sipas saj, Supremja nuk krijon precedent.
“Vendimi i Gjykatës Supreme vlen vetëm për kërkesën e palës që e ka dorëzuar kërkesën për një udhëzim administrativ”, tha ajo.

Profesori Hasani kundërshton këtë dhe thotë se vendimet e Supremes krijojnë precedent, duke u dhënë një praktikë që çdo çështje e ngjashme mund të shpallet paligjshme.

Gzim Shala nga IKD thotë se kjo mënyrë veprimi paraqet vepër penale dhe duhet të trajtohet nga Prokurori i Shtetit.
“Moszbatimi i vendimeve gjyqësore paraqet vepër penale, dhe për këtë duhet të angazhohet Prokurori i Shtetit. Përveç moszbatimit, mund të ketë edhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi anëtarët e Qeverisë marrin vendime që mund të krijojnë favore ose dëmtojnë të tjerët”, shtoi ai.

Përveç vendimeve për emërime në borde, Qeveria dhe ministrat në detyrë kanë marrë vendime edhe për miratimin e rregulloreve, udhëzuesve, statuteve etj.

Qeveria ka aprovuar Rregulloren për Trajnimin dhe Testimin e Detyrueshëm dhe Certifikimin e Inspektorëve të Republikës së Kosovës, si dhe Rregulloren për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil.

Ka miratuar ndryshimin e Statutit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” Sh.A.

Ministria e Punëve të Brendshme ka miratuar Projekt-rregulloren për funksionimin e Këshillit Shtetëror për Siguri Kibernetike dhe rregulloren për zbatimin e standardeve në aviacionin civil.

Ministri në detyrë Hajrulla Çeku ka revokuar licencën e Shoqatës për administrimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe i ka dhënë licencë Shoqatës së Kosovës për të Drejtat e Muzikës.

Ministrja Haxhiu ka caktuar ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar.