I akuzuari për krime lufte në Pejë, Zoran Gjokiq, të premten, nën përcjellje të policisë, është sjellë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku po vazhdon gjykimi ndaj tij.
Ai ka dëgjuar për më shumë se tri orë rrëfimet e tre dëshmitarëve për përndjekjet dhe maltretimet e paramilitarëve serbë ndaj popullatës civile në këtë qytet, në periudhën mars - prill 1999.
Dëshminë e tyre e kanë dhënë Fatmir Shala dhe Selami Taraku me të cilët Gjokiqi kishte punuar si pjesëtar i sigurimit në OSBE, raporton KOHA.
Taraku, ndër të tjera, ka treguar se kur e kishte takuar Gjokiqin pak kohë pas bombardimeve të Nato-s, i akuzuari i kishte thënë që të largoheshin nga Peja bashkë me familje pasi do të bëhej keq për banorët shqiptarë.
Tutje dëshmitarët kanë rrëfyer për maltretimet dhe përndjekjet që kishin nisur në këtë periudhë nga paramilitarët dhe qytetarët serbë.
Dëshminë e tij e ka dhënë edhe Florim Manaj, djali i të ndjerit Riza Manaj, për vrasjen e të cilit akuzohet Gjokiqi.
Zoran Gjokiq u arrestua vitin e kaluar dhe është ende në paraburgim.
Ai akuzohet nga Prokuroria Speciale se gjatë muajve mars-prill 1999, në lagjen “Kristal” të Pejës, bashkë me një grup personash të nacionalitetit serb ka vrarë, ka maltretuar, plaçkitur e përndjekur popullatën civile shqiptare.