Arbëri

Gjykatat kritikohen për zvarritje të lëndëve që kërkojnë urgjencë në trajtim

Kontributi i dhënë për vite me radhë në Minierën e Boksitit në Klinë, Hysni Bujupit nga Drenasi nuk po i njihet në tërësi.

Më 2014, kur Bujupi është pensionuar, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ia ka paguar vetëm pensionin bazë e jo atë kontributiv.

Pas disa ankesave për vite me radhë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Bujupit i është njohur një herë pjesërisht, e më pas plotësisht, e drejta për pensionin kontributpagues i moshës dhe kompensimin në shumën prej 5160 eurosh, si dhe kamata prej 2,037 eurosh.

“Duhet me u vërtetu aktvendimi i Gjykatës Themelore sepse është e drejtë e një pensionisti, boll kam prit qe sa kohë prej 2014-s. Mirëpo tash këta po thonë e njohim atë të drejtë prej 25-tit 2019, këto të tjerat 60 muaj po duan t’i hedhin”, ka thënë Bujupi.

Themelorja e kishte detyruar Ministrinë që mjetet t’ia kompensonte në afat prej 15 ditësh nën pasojat e përmbarimit me detyrim, por kjo e fundit vendimin e ka ankimuar në Gjykatë të Apelit, në tetor të këtij viti.

Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, Bujupi bën thirrje që lënda e tij të trajtohet me urgjencë.

“Po presim prej Gjykatës së Apelit...Ne jemi pensionistë me disa sëmundje shumë të rënda që nuk ka nevojë t’i cek, është dokumentacioni, mund t’ua jap kur të doni si Gjykatës së Apelit, si juve të gjithve, që ta ngutni procedurën sepse ne ilaqet i kemi me pare”.

Mostrajtimi i lëndëve të tilla me prioritet që mohon të drejtat e punëtorëve, sipas avokatit Nasuf Hasani është bërë praktikë e gjykatave të Kosovës.

“Sa i përket kontesteve nga mërrëdhënia e punë stë cilat trajtohen në Gjykatën Themelore në Prishtinë por edhe në Gjykatat tjera, konsideroj se punëtorëve në vazhdimësi janë duke u shkelur të drejtat e tyre. Në këtë rast Gjykata jo vetëm themelorja në Prishtinë, nuk kam vërejtur se këto cështje i marrin me prioritet. Ligji për procedurën kontestimore e përkufizon me saktësi se kontestet nga marrëdhënia e punës duhet të trajohen me urgjencë”, ka thënë avokati Nasuf Hasani.

Pavarësisht urgjencave të palëve për kompensim, Hasani thotë se trajtimi i lëndëve në Gjykatë të Apelit është bërë e zakonshme që të zgjasë me vite.