3 javët e humbura të mësimit gjatë grevës së janarit, do të kompensohen, njësoj siç kishte marrë vendim Ministria e Arsimit më datë 26 shkurt të këtij viti.
Kjo do të ndodhë, pas hedhjes poshtë të Kërkesë Padisë së Sindikatës së Arsimit nga Gjykata Themelore, e cila ishte ankuar kundër vendimit të MASHT-it.
Në vendimin e siguruar nga Betimi për Drejtësi, thuhet se: Gjykata vlerëson se vendimi i së paditurës i goditur me padi, është vendim i drejtë dhe i ligjshëm, sepse i njëjti është marrë pas vërtetimit të të gjitha fakteve relevante, konform dispozitave ligjore në fuqi. Po ashtu, gjykata vlerëson se vendimi i goditur me padi për kompensimin e orëve të humbura i cili ka për qëllim arsimor të nxënësve dhe aftësimin e tyre social e profesional, është në përputhje edhe me parimet e përgjithshme të arsimit parauniversitar, të përcaktuar me Ligjin për Arsimin e Lartë.
Sipas padisë së SBASHK-ut, vendimi jo vetëm që nuk përmban referenca të detyrueshme ligjore, por është në kundërshtim edhe me Ligjin për Grevat.
Gjykata, ka shqyrtuar edhe pretendimet e palës paditëse se vendimi kontestues është në kundërshtim me nenin 11 par. 1,2, 3 dhe 13 të Ligjit për Greva.
Por sipas vendimit, “gjykata ka vlerësuar se këto dispozita dhe ligji në përgjithësi, rregullon dhe përcakton të drejtat e të punësuarve për pjesëmarrje në grevë, kushtet dhe mënyrën e organizimit të grevës si dhe të drejtat dhe detyrimet e të punësuarve, për shkak të organizimit dhe pjesëmarrjes në grevë, mirëpo nuk përmban dispozita që rregullojnë çështjet e organizimit të punës pas përfundimit të grevës”.
Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj i ka thënë KTV-së, se Gjykata nuk ka vepruar drejt dhe sapo ta shqyrtojnë këtë vendim, do të ankohen në shkallen e dytë.
"Nëse sërish vendimi kthehet kundër nesh, atëherë Ligji për Grevat më mirë të mos ekzistojë”, ka thënë Jasharaj.
E ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i kontaktuar nga KTV-ja, tha se ky vendim ishte i pritur, por edhe një herë do t’i njoftojnë drejtoritë komunale të Arsimit për realizimin e një plani për zëvendësimin e orëve të humbura.
“Vendimi nuk ishte kundër askujt, thjesht po bëjmë punën tonë, që të mos humbin nxënësit tanë në aspektin mësimor”, ka thënë ministri Bytyqi.