Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, sot pritet të vijë në Kosovë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ia ka aprovuar kërkesën për vizitë, por, vetëm me lëvizje të kufizuar. Kërkesa e tij ka qenë ta vizitojë një Qendër të Studentëve.
Megjithatë, pasi MPJ-ja ia ka aprovuar këtë kërkesë, Gjuriqi ka bërë tjetër kërkesë për të vizituar edhe Ujmanin, çka më pas iu është refuzuar, raporton Koha.net.
Sot, sipas mediave serbe Gjuriqi, bashkë me ministrin e Kulturës, Mladen Sharqeviç, do të takohet në Zubin Potok, në rajonin ku gjendet liqeni i Ujmanit (Gazivoda), me katër kryetarë të komunave veriore.
Jetlir Zyberaj, këshilltari i Ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, në një përgjigje për Koha.net tha se për çdo tendencë tjetër të Gjuriqit, për të vizituar pika tjera, përfshirë këtu Ujmanin, do të ndërmerren masa të menjëhershme.
“Ka kërkuar leje për vizitë në Qendrën e Studentëve dhe ajo leje i është aprovuar nga ne. Dje ka bërë kërkesë për zgjerim të agjendës t’i vizitojë edhe disa pika tjera, ndër to edhe Gazivodën. Kërkesa i është refuzuar dhe ka ngelur në fuqi vetëm leja për vizitë në Qendrën e Studentëve. Në rast se ka tendenca për të vizituar pika tjera, përveç Qendrës së Studentëve, do të ndërmerren masa”, ka thënë Zyberaj për Koha.net.