Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjuriqi flet për një marrëveshje për heqje të barrikadave, e sheh si “fitore të Serbisë”

Marko Gjuriq

Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, për televizionin serb “RTS” ka folur për një “marrëveshje” për heqjen e barrikadave. Ai e ka vlerësuar këtë si “fitore të madhe”.

Gjuriq thotë se marrëveshje u materializua nëpërmjet dy deklaratave të publikuara të mërkurën, një që ishte e përbashkët mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-së dhe një deklaratë tjetër të lëshuar nga KFOR-i.

Ai thotë se në deklaratën e KFOR-it ka marrë “konfirmim të shkruar dhe garanci ndërkombëtare lidhur me dërgimin e FSK-së në veri.

“Ftoj qytetarët e Serbisë që të njihen me dy elemente tjera të bisedimeve që u zhvilluan dhe marrëveshjen që u arrit, e cila u materializua përmes deklaratës së përbashkët të BE-së, SHBA-së dhe nga njëra anë edhe deklaratës së KFOR-it”, tha Gjuriq. “Sot kemi në tavolinë dy burime të reja të së drejtës materiale ashtu edhe realitetit politik në veri të Kosovës. Kjo do të thotë që nga dje, për herë të parë kemi garanci ndërkombëtare nga KFOR-i dhe NATO që vlejnë për të gjithë, lidhur me dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri, me obligim që të konsultohet komuniteti serb”.

Gjuriq kishte thënë se se deri tash për çështjen e dërgimit të FSK-së në veri kishte vetëm një letërkëmbim mes ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Rasmussen.

Edhe Vuçiq: Kemi garanci se kërkesat tona për heqjen e barrikadave do të plotësohen Arbëri Vuçiq: Kemi garanci se kërkesat tona për heqjen e barrikadave do të plotësohen

“Ata që e njohin ligjin e kuptojnë se tani kemi shkuar një hap më tutje në aspektin e mbrojtjes juridike të pozitës së serbëve në veri”, tha Gjuriq. “E shihni vetë regjimi i Kurtit akuzon gjykatën e institucionet e veta për tradhti të lartë për faktin se Pantiqi u lirua nga paraburgimi. Pra, nuk është se nuk ka absolutisht asnjë ndikim apo efekt. Nëse çdo gjë do të ishte aq e favorshme dhe e mirë, nuk do të bënin thirrje për protesta para kazermës së KFOR-it”, tha Gjuriq.

Ai thotë se ka marrë garanci në letër si nga BE ashtu edhe nga SHBA se pjesëmarrësit në barrikada nuk do të ndiqen penalisht. Ndërsa ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po “përpiqet ta keqpërdorë tragjedinë në Ukrainë dhe po tenton ta fusë Serbinë në luftë me Perëndimin”.

Gjuriq ka thënë se sjellja e SHBA-së ka qenë shumë korrekte.

“Natyrisht ata e shohin Kosovën e M. si një shtet të pavarur, që është krejtësisht e kundërta se çfarë besojmë ne dhe për çfarë luftojmë. Por në të njëjtën kohë ata nuk mbështesin përpjekjet e Kurtit për ta destabilizuar Evropën Juglindore duke u përpjekur ta keqpërdorë tragjedinë e Ukrainës”, tha Gjuriq.

Edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka folur për “garanci të marrë nga SHBA-ja e BE-ja”.

“Garancitë e SHBA-së dhe BE-së thonë se nuk ka asnjë listë për arrestimin e serbëve nga Kosova për pjesëmarrje në protesta paqësore më saktësisht në barrikada. Kjo pjesë është shumë e rëndësishme dhe Vuçiqi ka luftuar shumë për gjithçka në atë letër që të përcaktohet qartë. Serbët thanë hapur se nuk u besojnë garancive të SHBA-së dhe BE-së, por ne nga ana tjetër kemi dhënë garanci se do të jemi pranë popullit tonë. Nuk mund t’i besojmë Kurtit, kështu që më mirë të kesh një copë letër. Garanci këtu është edhe konfirmimi se në veri të Kosovës nuk mund të futet FSK-ja pa miratim të komandantit të KFOR-it dhe përfaqësuesve politikë të serbëve nga Kosova”, tha Petkoviq.

Edhe Gjuriq: Kemi befasi për çështjen e Kosovës Arbëri Gjuriq: Kemi befasi për çështjen e Kosovës

Petkoviq ka thënë se barrikadat do të hiqen brenda 48 orëve.

“Barrikadat po hiqen, po shkojmë në drejtim të përshkallëzimit”, tha Petkoviq.