Gjuha e urrejtjes është e pranishme në mediat e Kosovës dhe nevojiten veprime konkrete për parandalim, në mënyrë që të evitohen krimet e mundshme të urrejtjes, është thënë në tryezën e organizuar nga ATRC-ja, të premten, në Prizren. Në këtë takim janë shpalosur gjetjet e raportit “Hate O Meter”, në të cilin janë reflektuar informatat lidhur me punën që duhet realizuar nga ana e mediave dhe institucioneve për parandalimin e krimeve të urrejtjes dhe parandalimin e nxitjes së urrejtjes në shoqëri.
Mediana Bislimi nga ATRC-ja ka theksuar se qëllimi i këtij hulumtimi është evidentimi i përdorimit të gjuhës së urrejtjes në baza etnike, gjinore, racore, fetare dhe të tjera në publik, si dhe luftimi i këtij fenomeni, i cili nxit akte apo krime të urrejtjes.
Ndërsa menaxherja, Hera Luma, duke prezantuar gjetjet e raportit ka theksuar se ato bazohen në hulumtimin e mediave të shkruara dhe audiovizive për periudhën janar-qershor 2019, dhe janar-qershor 2020.
“Ky hulumtim është fokusuar në analizën e përmbajtjes së artikujve dhe emisioneve nga mediat kosovare të frekuencës nacionale dhe lokale. Në total janë përzgjedhur 10 media elektronike për analizën tekstuale të artikujve medialë, dhe 6 kanale televizive për analizën e gjuhës së përdorur në emisionet televizive”, ka thënë ajo, duke shtuar se janë analizuar artikujt elektronikë të 7 mediave elektronike që kanë audiencë në nivel nacional dhe 3 mediave të frekuencës lokale.
“Numri total i materialeve tekstuale (artikujve) të trajtuara është 2.512, ndërsa i materialeve audiovizive, apo emisioneve është 201. Nga 2.512 artikujt e trajtuar, 453 apo 18.03% janë me gjuhë problematike përkatësisht gjuhë të urrejtjes dhe gjuhë paragjykuese, nga to 314 apo 12.05% vetëm me gjuhë të urrejtjes. Ndërsa, nga 201 emisionet e trajtuara, në 86 prej tyre trajtohen tema për komunitetet e përzgjedhura, ku 12 apo 13.95% janë me gjuhë paragjykuese, pra gjuhë të urrejtjes dhe gjuhë paragjykuese, dhe 8 sosh apo 9.30% janë me gjuhë të urrejtjes”, ka deklaruar Luma.
Sipas saj, marrë në total, komunitetet RAE janë më të ekspozuarit nga gjuha e urrejtjes në artikujt medialë, e përcjellë me shumë pak dallim nga komuniteti serb.
“Nga artikujt e trajtuar për imigrantët/refugjatët dhe komunitetin LGTBIQ, 45 artikuj kanë përdorur gjuhë të urrejtjes për imigrantët/refugjatët dhe 11 artikuj për anëtarët e komunitetit LGBTIQ”, është shprehur ajo.
Sa i përket shpërndarjes së llojit të gjuhës së urrejtjes dhe asaj paragjykuese sipas komuniteteve, Luma ka bërë të ditur se të dhënat tregojnë që minoriteti serb prin lehtë me reprezentim të dhunshëm, ndërsa komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian prijnë sa i përket gjuhës paragjykuese ndaj tyre.
“Gjuha e drejtuar ndaj imigrantëve/refugjatëve dominohet nga reprezentimi i dhunshëm i tyre. E gjetura më interesante mund të jetë që komuniteti LGBTIQ është i vetmi komunitet ndaj të cilit përdoret gjuhë që bën thirrje për vrasjen e tyre. Nga 6 artikujt që bëjnë thirrje për vrasje të ‘tjetrit’, të gjithë janë drejtuar ndaj pjesëtarëve të komunitetin LGBTIQ, gjë që tregon mbi diskursin radikal dhe intimidues që ekziston për këtë komunitet”, ka njoftuar ajo, teksa ka përmendur edhe një varg rekomandimesh që kanë dalë nga ky raport.
Këshilltari nga radhët e LVV-së në KK-në e Prizrenit, Karanfil Haxhillari, ka pranuar ekzistimin e gjuhës së urrejtjes jo vetëm në media, por edhe në institucione publike, që vijnë si rezultat i përplasjeve në arenën politike.
“Si shoqëri, kemi probleme me gjuhën e urrejtjes. Prandaj nevojitet një bashkërendim ndërsektorial për përmirësim në këtë drejtim. Nëse s’bëjmë përmirësime atëherë nuk jemi në rrugë të mirë”, ka thënë Haxhillari.
Aktivistja e shoqërisë civile, Jubilea Kabashi, ka pohuar ekzistimin e gjuhës së urrejtjes në sferën publike, dhe ka kërkuar kujdes të shtuar nga mediat për raportimet e rasteve të dhunës në familje.
“Ka shumë hapësirë për t’u korrigjuar”, është shprehur ajo.
Ndërsa Erolina Morina, psikologe, ka vlerësuar se gjuha e urrejtjes është e pranishme jo vetëm në Kosovë, por në mbarë botën, dhe se është e vjetër sa historia e njerëzimit.
“Ky fenomen ka ndikim negativ në shoqëri, prandaj nevojitet kontributi i gjithanshëm për parandalim”, ka përfunduar Morina.