Arbëri

Gjuha e pushtetit ndaj mediave, paralajmërohen pasoja për Kosovën

Foto: Ilustrim

Pasoja politike janë paralajmëruar për Kosovën për shkak të gjuhës që pushtetarët kanë treguar së fundmi ndaj mediave në vend. Reagimi i ashpër i organizatave ndërkombëtare kundër Zyrës së Presidencës dhe të Kryeministrit për reagimet e fundit ndaj mediave, do të reflektohen edhe në Raportin e Progresit për vitin e ardhshëm, ka paralajmëruar juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari.

Në Interaktiv të KTV-së, ajo ka thënë se megjithatë ka kohë që ky raport të përmirësohet. Sipas saj, pushteti duhet t’i marrë me seriozitet reagimet që të ketë raport më të shëndoshë për të ardhmen.

Kusari ka shtuar se reagimet ndërkombëtare pas gjuhës së shfaqur do të mbesin për kohë të gjatë pjesë e vlerësimeve për Kosovën. Sipas saj, ato duhet të shihen si alarm për pushtetin.

“Prandaj duhet të shfrytëzojnë momentumin të vendosin politikë tjetër nga ajo që e kanë. E para të respektojnë gazetarët. Edhe kur s’pajtohen, edhe kur mediat bëjnë shkelje, t’i shfrytëzojnë mekanizmat. S’janë në pushtet për të na treguar cili shkrim është shpifës ose jo. Le të punojnë në Këshillin e Mediave për këtë çështje. Aty ku janë s’u takon kjo. T’i trajtojnë gazetarët me respekt. T’u përgjigjen pyetjeve, të ofrojnë qasje në dokumente jo vetëm kur ju konvenon. Të mos bojkotojnë mediat. Është e patolerueshme”, ka thënë ajo.

Sipas saj, mënyra më e mirë “për t’i goditur mediat” është ankesa zyrtare në Këshillin e Mediave.

Të enjten, Qendra Evropiane për Lirinë e Medias, bashkë me disa organizata rajonale dhe ndërkombëtare, u kanë adresuar letër të enjten presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit Albin Kurti, duke u bërë thirrje që gjuha diskredituese dhe denigruese ndaj gazetarëve të ndalet menjëherë. Në reagimin e këtyre organizatave theksohet se gjuha e tillë ndaj gazetarëve është duke u organizuar nga zyrtarë të lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje, Zyrën e Presidencës dhe institucionet e tjera të nivelit të lartë në vend. Këto organizata kanë bërë gjithashtu të ditur se janë shqetësuar nga mesazhet që zëdhënësit e Qeverisë dhe të VV-së kanë bërë në Facebook, duke përfshirë edhe reagimet se mediat janë përpjekur që ta minojnë presidenten nëpërmjet raportimeve të tyre. Shqetësim këto organizata kanë shprehur edhe rreth reagimit të bashkëshortit të presidentes, Prindon Sadriu, i cili i kishte quajtur mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Sipas organizatave reaguese, komentet kanë bërë që përkrahësit e VV-së të shfrytëzojnë rrjetet sociale për t’i abuzuar gazetarët dhe aktivistët e caktuar. Lidhur me reagimin e Prindon Sadriut, ato kanë specifikuar se druajnë që komentet e tilla mund të ndikojnë edhe në sigurinë fizike të gazetarëve, pasi që po kontribuohet në një klimë armiqësore.

Ditë më parë, disa media në një artikull kishin përfshirë edhe një fjali që u tha se ishte komunikim i brendshëm e në të cilin komunikim shkruhej: “Mundesh me hjek krejt, veç që don m’i qepu Vjoses”. Lajmi ishte fshirë, ndërsa mediat kishin kërkuar falje, ndërkaq Asociacioni i Gazetarëve ka kërkuar që të respektohet Kodi i Etikës.